Kryeministri Albin Kurti ka ftuar qytetarët që të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit, shtetasi kosovar që dyshohet se u vra në Serbi të premten.
Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, Kurti ka kërkuar hetim vendor e ndërkombëtar për të qartësuar gjithçka që ndodhi me Faton Hajrizin, që nga ikja drejt Serbisë deri në vrasjen e raportuar të tij.
“I ftoj qytetarët të mos bien pre e euforisë së heroizimit dhe romantizimit të Faton Hajrizit. Patriot në Kosovë është rreshteri Afrim Bunjaku, që u vra në Banjskë të Zveçanit. Patriotë janë 23 pjesëtarët e Policisë të rënë në krye të detyrës që dëshmuan përkushtimin për shërbim deri në sakrificë”, ka thënë kryeministri.
Faton Hajrizi u arratis nga burgu i Smrekonicës më 6 korrik. Më 18 korrik, ai dyshohet se vrau një polic e plagosi një tjetër në Lloznicë të Serbisë. Një ditë më vonë, autoritetet serbe raportuan për vrasjen e tij. Më 22 korrik, Ministria e Jashtme ka njoftuar se shenjat e gishtërinjve të dërguar nga Serbia i përkasin shtetasit Faton Hajrizi. Megjithatë, procedurat për kthimin e trupit në Kosovë janë ende duke vazhduar.
Shefi i Qeverisë gjithashtu ka pasur kritika për Prokurorinë që ende nuk ka ngritur aktakuzë ndaj Milan Radoiçiqit, përgjegjësi për sulmin paramilitar serb në Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit të kaluar.