Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se nga Bashkimi Europian ka pranuar një dokument në të cilin janë dhënë udhëzime për ndihmat që Unioni do t’i japë Kosovës për tejkalimin e situatës nga Koronavirusi.
”Ne jemi në një fazë emergjente, të cilën edhe e kemi shpallur. Porsa kam marrë një letër nga Komisioneri i BE-së Olivér Várhelyi, i cili flet për ndihmat që do t’i japë Kosovës”.
Nga ajo letër, Kryeministri Kurti në seancën e mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK, lexoi vetëm disa paragraf ku flitet për shumat që pritet t’i ndahen Kosovës në tejkalimin e krizës, njofton Klan Kosova.
”Sa i përket ndihmës financiare unë [Olivér Várhelyi] i kam udhëzuar shërbimet e mia që të shfrytëzojnë deri në 5 milionë euro për nevoja të menjëhershme të financuara nga asetet e përafrimit me BE-në”.
”Fillojnë punën në ripërcaktimin e ndihmës deri në 50 milionë euro nga programet e viteve 2019-2020 të cilat tani duhet të përdoren për të zbutur ndikimin socio-ekonomik të shkarkuar nga kriza, projektet e planifikuara fillimisht si rrjedhojë mund të financohen nga programi i radhës”.
”T’i japim prioritet urgjent projekteve që tashmë janë në linjën e implementimit që mund të përmirësojnë likuiditetin dhe mbështetjen ndaj sektorit privat”.
”Kjo përfshinë kërkesat e ardhshme për pagesa deri në 13 milionë euro në pagesa të mbështetjes buxhetore përderisa plotësohen kushtet përkatëse. Përveç kësaj ne jemi duke parë projekte të tjera dhe do t’i përshtatemi në përputhje me rrethana”.
Lidhur me këtë, edhe vet Komisioneri i BE-së Olivér Várhelyi ka treguar për ndihmën që Bashkimi Europian do t’ua ofrojë shteteve të Ballkanit Perëndimor.
”’Iu shkruajta Kryeministrave të vendeve partnere të Ballkanit Perëndimor për të konfirmuar se qëndrojmë pranë rajonit në luftën kundër #Koronavirusit. Ne po ndajmë 38 milionë € për ndihmë të menjëhershme për sektorët e shëndetësisë dhe parashikimin e rialokimit mbi 373 milionë euro për rimëkëmbjen sociale dhe ekonomike”.