Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë reaguar pas deklaratës së kryeministrit, Albin Kurti, i cili sot gjatë ditës tha se zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë as Qeverisë as opozitës, dhe se ai nuk është i interesuar ta zhduk opozitën.
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka thënë se kryeministri Kurti sot ka pasur më shumë mllef ndaj opozitës shqiptare se sa ndaj presidentit serb, transmeton Telegrafi.
“Albin Kurti sot tha se në rast të zgjedhjeve të parakohshme, zhduket opozita në Kosovë. Më shumë pati mllef ndaj opozitës shqiptare se ndaj presidentit serb. Harroi se ka thirrë konferencë për negociatat me Serbinë dhe jo për ta sulmuar opozitën”, ka pohuar Tahiri në reagimin e bërë në Facebook.
Ai ka shtuar “mbase këtë e kanë mësuar gjatë koordinimeve me Radojçiqin”.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se Kurti ka humbur fuqinë elektorale, prandaj sipas tij, edhe bën deklarata të tilla.
“Kryeministri Kurti ia filluar të bëhet humorist, ky asnjëherë s’ka pasur kujdes për opozitën, lërë për opozitën e partive të tjera, por as për njerëzit ndryshe në partinë e vet. Nuk kujdeset për njerëzit në parti që kanë mendime të ndryshme, e lërë për partitë e tjera. Se kush sa e ka fuqinë politike na e jep populli, le të del nëse ia mban në zgjedhje dhe e sheh çka ndodh me të. Ai e dinë qe e ka humbur fuqinë elektorale politike, për këtë është bërë humorist”, ka thënë Tahiri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit.
Lidhur me deklaratën e kryeministrit Kurti, Telegrafi ka provuar të marrë edhe një koment nga Lidhja Demokratike e Kosovës, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur deri tani.
Ndryshe, sot kryeministri Albin Kurti në një konferencë për media ka folur mbi takimin e zhvilluar më 14 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.
Ai ka kritikuar ndërmjetësuesin Miroslav Lajçak që nuk është neutral dhe se po koordinohet me palën serbe.
Kurse gjatë konferencës, ai i pyetur për zgjedhjet deklaroi se është i interesuar ta mund opozitën por jo edhe ta zhduk.
“Zgjedhjet e parakohshme nuk i konvenojnë as Qeverisë as opozitës. Opozitës nuk i konvenojnë se humb, e Qeverisë nuk i konvenojnë zgjedhjet sepse zhduket opozita”, ka thënë Kurti.
Reklama
Partitë opozitare në vazhdimësi janë deklaruar të gatshme për zgjedhje të reja, AAK kishte paralajmëruar se do të nis një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, dhe se për këtë duhet bashkëpunim ndërmjet partive opozitare.