Kurti tenton t’ia zgjatë vetës mandatin si kryeministër i shkarkuar, s’tregon kur i kthen përgjigje Thaçit

Kryeministri i shkarkuar, Albin Kurti, po e sheh të dorës së dytë kërkesën e presidentit Hashim Thaçi, që t’ia dërgojë një emër për ta formuar qeverinë e re.

Kurti thotë se nuk do ta lënë pa përgjigje presidentin e shtetit, porse nuk do të nxitohen pasi kanë disa prioritete tjera.

“Është e vërtetë se ne kemi pasur një kërkesë nga presidenti pas takimit. Ne nuk do ta lëmë presidentin pa përgjigje por në të njëjtën kohë nuk do të nxitohemi. Kemi mbi prioritet luftimin e koronavirusit. Zgjidhja e drejtë, e mirë e përpara është të bëhemi bashkë kundër koronvairusit dhe pas kësaj të shkojmë në zgjedhje”, tha Kurti në Televizionin 21.

Kryeministri i shkarkuar akuzon presidentin se ka shfaqur intenca që të ketë një qeveri gjithëpërfshirëse, e cila sipas tij, është shkelje kushtetuese.

“Është për të ardhur keq që presidenti ka shfaqur jo vetëm intencën por edhe planin për një qeveri gjithëpërfshirëse gjë që për besimin tim është shkelje e kushtetutës. Po them është plan e jo vetëm intencë sepse është shpalosur në hapin e parë. Presidenti është dashur të më ftojë vetëm mua në takim, por përkundrazi ai ka shprehur vullnetin e tij politik qe të drejtoj dhe formoj një vullnet politik. Ka gabuar, është nxituar por pa përgjigje s’do ta lëmë”, ka theksuar ai.

Kërkesa e presidentit Thaçi për Vetëvendosjen që t’ia dërgojë një emër për ta formuar qeverinë, erdhi pasi në Kuvend u votua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë që e drejton Albin Kurti.