Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se tashmë është konfirmuar se tre zyrtarët policorë janë kidnapuar dukshëm brenda territorit të Kosovës.
“Tani e kemi konfirmuar se tre policët e ndaluar në mënyrë ilegale ishin zënë në pritë dhe kidnapuar nga forcat serbe përderisa ishin në një pauzë të përbashkët dreke, nga një patrullë rutinore e kontrabandimit brenda territorit të Kosovës”, ka shkruar Kurti në Twitter.
Tutje, Kurti i bëri thirrje Serbisë“të ndalojë dezinformatat dhe t’i lirojë policët e kidnapuar.
Ndërsa më herët në një postim në Facebook, shefi i ekzekutivit në lidhje me kidnapimin e policëve ka thënë se këtë “e dokumentojnë qartë dëshmitë që posedojnë institucionet tona të sigurisë, si dhe dëshmia e tre policëve tanë”.
“Vendi ku ndodhet tryeza e ngrënies është 7 metra prej veturës së policisë. Pikërisht në atë vend ku e kemi theksuar qysh me datën 15 qershor: 1 kilometër në brendi përgjatë rrugës së bllokuar ilegale, dhe 300 metra, përkatësisht 670 metra, nga të dy anët larg kufirit e brenda Kosovës”, kishte shkruar Kurti në Facebook.
Ndërsa në një konferencë për media të martën, kreu i qeverisë ka bërë të ditur se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, i kishte vizituar më 20 qershor tre policët e arrestuar ditë më parë nga autoritetet e Serbisë.
“Përshkrimi se si ka ndodhur rrëmbimi është i njëjtë. Ata thonë se në momentin e rrëmbimit kanë qenë te tryeza e improvizuar, kanë qenë duke ngrënë drekë. Së bashku, kur 15 persona i kanë rrethuar, i kanë sulmuar dhe i kanë rrëmbyer. Të tre kanë qenë bashkë. Të tre e kanë rrëfimin e njëjtë, kur pyeten ndaras nga ambasadori ynë Jetish Jashari”.
Ndryshe, tre policët e Kosovës janë kidnapuar nga forcat serbe më 14 qershor.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që t’i lirojë pa kushte policët.