Kryeministri Albin Kurti në seancën e jashtëzakonshme për taksën 100% ndaj Serbisë, ka paraqitur “argumentet” që zëvendësimi i taksës me masën e reciprocitetit është zgjidhja më e duhur.
Ai para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kërkesa për zëvendësimin e taksës me masën e reciprocitetit ka qenë e kamotshme. Madje ai ua rikujtoi deputetëve se në vitin 2011 Kuvendi i Kosovës kishte miratuar një rezolutë ku kërkonte masa reciprociteti ndaj Serbisë.
“Edhe në fushatën zgjedhore, edhe pas saj, edhe në programin qeverisës edhe sot e kësaj dite jemi të angazhuar për zëvendësimin e kësaj tarife 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë me parimin e reciprocitetit të plotë politik ekonomik e tregtar. Ky në fakt është edhe obligim i të gjithë shtetit tonë meqenëse me 7 dhjetor të vitit 2011 është miratuar edhe një rezolutë në Kuvendin e Republikës ku asaj kohe kryeparlamentar ishte z. Jakup Krasniqi me të cilën rezolutë ne kemi shprehur qëndrimin tonë dinjitoz e me integritet me një mocion me tri pika”.
Kurti ia përmendi AAK-së se këtë rezolutë që kërkonte masa reciprociteti ndaj Serbisë e kishin votuar 3 deputetë të saj, ndërsa tha se kanë qenë 4 deputetë të PDK-së që kanë votuar kundër.
Ai shtoi se deri më tani dialogu në Bruksel është bërë për statusin e Kosovës, ndërsa shtoi se me vendosjen e reciprocitetit dialogu mund të shkoi drejt zgjidhjes së pengesave një nga një.
“Në vend që të dialogojmë me Serbinë për territorin tonë, për organizimin e sistemit institucional ne do të dialogojmë për pikat që e reflektojmë sovranitetin e vendit. Të jemi sovran kur të diskutojmë, e jo të diskutojmë për sovranitetin për të qenë sovran. Dhe çdo heqje e një barriere nga lista nënkupton një njohje më tepër të sovranitetit të Kosovës nga ana e Serbisë”, tha kryeministri Kurti.