Kurti takon Lajçakun: Dialogu duhet ta njohë realitetin dhe të vërtetën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Emisarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti tha se dialogu duhet ta njohë realitetin dhe të vërtetën dhe të adresojë çështjet e pazgjidhura.

“Unë rikonfirmova që dialogu duhet të jetë parimor dhe i përgatitur mirë. Duhet të pranojë realitetin dhe të vërtetën, të jetë i barabartë dhe të adresojë çështje të pazgjidhura, jo të krijojë të reja”, ka shkruar ai në Twitter.

I pari i Qeverisë së Kosovës po qëndron në një vizitë zyrtare në Bruksel ku ka pasur takime me përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe do të ketë edhe takime të tjera.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë së enjtes do ta takojë edhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.