Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, dje në zyrë e tij, mirëpriti Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovë, Jens Erik Grøndahl.
Takimi për temë kryesore të diskutimit pati situatën e krijuar nga pandemia COVID-19. Me këtë rast, Kryeministri në detyrë e njoftoi Ambasadorin Grøndahl për masat e reja të Qeverisë të cilat për qëllim kanë parandalimin e shpërndarjes e koronavirusit.
Në prag të javëve më kritike në luftën kundër përhapjes së shpejtë të sëmundjes, Kryeministri në detyrë Kurti theksoi përkushtimin e tij dhe Qeverisë për të kontrolluar në mënyrë sa më të suksesshme lakoren e përhapjes së pandemisë.
Ai gjithashtu rikujtoi rëndësinë e një bashkëpunimi gjithëpërfshirës në këtë drejtim, me ç’shkas Kryeministri në detyrë Kurti ka telefonuar kryetarët e 38 komunave të Kosovës me të cilët ka diskutuar problemet dhe vështirësitë e tyre në përballje me pandeminë COVID 19, si dhe nevojën dhe format e mbështetjes nga Qeveria në detyrë.