Kryeministri Albin Kurti ka folur rreth largimit të qytetarëve të Kosovës.
Ai tha se shoqëria jonë duhet jetë e vëmendshme ndaj këtij fenomeni.
“Sado që të jetë numri i lëvizjes së qytetarëve, vëmendja jonë si shoqëri duhet të jetë e shtuar, veçanërisht ajo institucionale, kur largimi i qytetarëve shtohet, e sidomos i të rinjve”, thotë Kurti për të vazhduar të thotë se qeveria e tij është duke punuar në vazhdimësi për secilin qytetar të vendit pa dallim”, tha kryeministri, raporton EO.
Ai theksoi se synimi i qeverisë është që ta kthejë besimin qytetarëve ndaj institucioneve dhe shtetit, mirëqenien e tyre dhe “ta zvogëlojmë maksimalisht migrimin”.
” Fokusi ynë në zgjedhjet e 14 shkurtit, që pardje u bënë 2 vjet, ka qenë drejtësia dhe punësimi. Për të parën të gjithë pajtohen se është policia ka bërë një punë të jashtëzakonshme në luftimin e krimit të organizuar. Nga fillimi i mandatit janë kryer 850 operacione policore, mbi 3200 persona të arrestuar, 69 grupe kriminale janë shkatërruar, mbi 1.8 ton substanca narkotike janë sekuestruar, mbi 14 milionë euro janë ngrirë në dyshimin e keqpërdorimit ose shpërlarjes së parave. Duhet shumë angazhim dhe vullnet i hekurt nga sistemi i drejtësisë që proceset gjyqësore të shkojnë deri në fund për të marrë vendime meritore për kriminelët dhe keqpërdoruesit”, tha Kurti.
Ai përmendi edhe Vetingun, të cilin e ka në udhëheqje Kuvendi i Republikës, i cili gjithashtu do të kontribojë në një sistem të drejtësisë që do të jetë efikas dhe i drejtë.
“Nga fillimi i mandatit, kemi mbi 40 mijë më shumë të punësuar. Prioriteti ynë është punësimi i të rinjve, grupeve të margjinalizuara dhe punësimi i grave. Po ashtu jemi duke e fuqizuar sistemin e teknologjisë informative në Kososvë, një fushë zhvilluese për të rinjtë”, u shpreh kryeministri.