Zotimi i kryeministrit Albin Kurti se do të nisë një dialog të ri me Serbinë, duke u shkëputur nga ai i kaluari, ka rritur edhe pritshmëritë për një rezultat të ri nga ky proces politik.
Takimi i parë i kryeministrit kosovar me presidentin serb do të jetë për t’u dakorduar për takimet e ardhshme dialoguese, megjithatë, pritjet janë që kornizat që do të orientojnë edhe përfundimin e dialogut të vendosen sot nga Kosova.
Arbër Fetahu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) në një përgjigje për portalin Klankosova.tv ka thënë se në bazë të rrjedhës logjike dhe siç zhvillohen negociatat, pasi që është takim i parë zyrtar njoftues ndërmjet liderit të ri të Kosovës dhe atij të Serbisë, një minimum dakordësimi për parimet, pritjet dhe procesin do të duheshin të definoheshin që në fillim nga ndërmjetësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak.
“Në këtë kuptim takimi i parë mund të shërbejë për qartësim të modaliteteve për vazhdimin tutje të procesit. Por, duke marrë parasysh edhe qëndrimet e dy liderëve të shtetit, edhe të Kosovës edhe të Serbisë, nuk është larg mendsh që në takimin e parë ndoshta të hapen edhe tema substanciale, ndoshta edhe tema të nxehta për të dyja palët që tashmë janë të ditura për publikun; siç është çështja e Asociacionit dhe çështja e njohjes së Kosovës nga ana e Serbisë apo edhe personat e pagjetur”.
Fetahu thotë se nëse procesi do të fillojë në një frymë të re atëherë mbetet të mësohet nëse do të preken edhe tema të reja për të ardhur deri te rezultatet e reja që destinacion kanë pajtimin përfundimtar mes kosovarëve dhe serbëve.
“Është shumë e rëndësishme të shikohet se a do të jetë ky përnjëmend një dialog i ri apo do të jetë një vazhdim i një cikli që ka qenë në të kaluarën; a do të bëhet kjo prerja cezariane në kuptimin që të shtyhet përpara me një dinamikë të re që mund të shohim rezultate të reja ndoshta edhe tema të reja që nuk janë parë deri më tani, apo do të jetë një vazhdimësi e një dialogu të vjetër dhe me vazhdimin e temave që kanë qenë deri më tani duke mos ndryshuar ndoshta shumë edhe stili dialogues”.
Jeta Krasniqi nga KDI ka të njëjtat pritshmëri nga kryeministri Kurti derisa nga Serbia thotë se e pret qasjen e vjetër.
“Nuk është që presim që të ketë rezultat konkret nga takimi i sotëm, por presim nga kryeministri Albin Kurti që të artikulojë dhe të shpalosë qëndrimet e tij për një dialog të ri”, ka thënë ajo për Klankosova.tv.
Krasniqi për presidentin serb ka thënë se do të ketë po të njëjtën qasje duke luajtur rolin e viktimës derisa do të tentojë që Kosovën ta paraqesë si palë jokonstruktive.
“Gjithashtu, është e pritshme që ai do të thotë se presin të zbatohet marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe. Mbetet të shihet edhe çka do të thonë Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe i emisari Miroslav Lajçak”.