Kryeministri në detyrë Albin Kurti, ka zhvilluar dy biseda telefonike, njërën me Kryetarin e Komunës se Bujanocit, Shaip Kamberi dhe tjetrën me Kryetarin e Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi.
Dy kryetarët, Kamberi dhe Arifi e njoftuan Kryeministrin në detyrë Kurti mbi menaxhimin e situatës me virusin Korona. Deri me tani janë tre të infektuar në Bujanoc, kurse asnjë i infektuar në Preshevë. Autoritetet lokale të të dy komunave janë të përkushtuara në luftimin e pandemisë COVID-19 për gjithë qytetarët e saj.
Kryeministri në detyrë Kurti, në emër të Qeverisë të Republikës së Kosovës dy kryetarëve, Arifit dhe Kamberit, ua shprehu gatishmërinë e mbështetjes socio-ekonomike dhe humanitare. Për të konkretizuar përkrahjen me kryetarët Arifi dhe Kamberi do të komunikojë edhe Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.