Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, sot mori pjesë në një konferencë të organizuar nga Partia e Socialistëve Evropian dhe grupi S&D, që për qëllim kishte adresimin e sfidave rreth COVID-19, situatën politike dhe rrugët e bashkëpunimit e solidaritetit në Ballkanin Perëndimor.
Në këtë konferencë, Kryeministri Kurti i njoftoi përfaqësuesit e partive të majta në Evropë për, siç thuhet, menaxhimin e suksesshëm që Qeveria e Kosovës ka bërë për ta parandaluar përhapjen e virusit Corona, për të rritur numrin e të shëruarve dhe zvogëluar vdekshmërinë e pacientëve të prekur.
“Ai përmendi edhe masat që ka ndërmarrë qeveria për t’i ndihmuar qytetarët dhe bizneset, njëherit duke vlerësuar edhe ndihmën financiare e materiale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe shteteve të tjera aleate të Republikës së Kosovës”.
“Rreth situatës politike, Kurti i njoftoi të pranishmit për vendimin antikushtetues të Presidentit për ta bërë qeverinë e re me partitë e vjetra, ku theksoi se e vetmja rrugë përpara është ajo e mbajtjes së zgjedhjeve pas kalimit të pandemisë. Pra, ajo e respektimit dhe jo e shkeljes së vullnetit qytetarë të shprehur me datë 6 tetor”.
“Për suksesin e një angazhimi të përbashkët, sipas kryeministrit Kurti, bashkëpunimi dhe solidariteti ndërkombëtarë është i nevojshëm të ndodhë jo vetëm brenda institucioneve Evropiane, por edhe nëpër vështirësitë dhe betejat shoqërore e politike me të cilat përballemi”.
“Solidariteti ndërkombëtar është çështje e një organizimi pragmatik bazuar në angazhime që japin efekte”, tha ai në fund të fjalës së tij, bën të ditur zyra e kryeministrit me anë të komunikatës për media.