Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës ka folur për marrëveshjen e arritur me BE-në lidhur me shtensiomin e situatës në veri.
Kurti ka thënë se synimi i takimit në Bratisllavë të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit Miroslav Lajçak ishte që të krijohen parakushtet për fokus në zbatimin e plotë dhe pa kushte të marrëveshjes bazike të arritur në Bruksel më 27 shkurt dhe aneksin e saj të dakorduar në Ohër më 18 mars.
Kurti përmendi edhe katër pikat për të cilat është arritur dakordim mes Kosovës dhe BE-së, duke dhënë edhe detaje.
“Në këtë kontekst zv.kryeministri ka arritur dakordim me emisarin Lajçak për këto pika.
Pika e parë, ka të bëjë me reduktimin e ¼ të policëve që gjenden brenda ndërtesave komunale apo në afërsi të tyre. Ata do të zhvendosen diku tjetër në po ato komuna dhe do të vazhdojnë detyrën atje ku ka nevojë më shumë për ta meqenëse konsiderojmë se pranë ndërtesave komunale situata tash e dy javë është më e qetë”, ka thënë Kurti.
Sa i përket pikës së dytë për vlerësime të përbashkëta të sigurisë mes Policisë së Kosovës, EULEX-it dhe KFOR-it, Kurti tha se “kjo ka qenë kërkesë e jona që nga fillimi duke qenë që sundimin e ligjit dhe qetësinë e sigurinë e shohim si interes të përbashkët të të gjitha palëve.
“Pika e tretë që ka të bëjë me mbajtjen e zgjedhjeve të reja. Ne kemi shprehur përkushtimin tonë që të sigurohet baza ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve të parakohshme komunale. Për këtë duhet të sigurohet ambienti që mundëson fushatën e mirëfillti, pluralizëm politik, pjesëmarrjen e komuniteteve dhe që siguron paprekshmërinë e votës. Nuk mund të bëjmë kompromis me sundimin e ligjit sepse ajo do të cenonte demokracinë”, tha Kurti.
Për pikën e katërt ku parashihet mbajtja e një takimi të dy kryenegociatorëve në Bruksel, kryeministri u shpreh se në vazhdimësi ka theksuar se të dyja palët duhet ta pranojnë publikisht që marrëveshja bazike është ligjërisht e obligueshme, gjë që nuk ka ndodhur ende nga pala serbe.
“Së dyti që marrëveshja duhet të zbatohet në plotin gjë që me gjasë ende nuk është e qartë për njërën nga palët. Së treti që zbatimi i neneve të marrëveshjes nuk mund të kushtëzohet dhe së katërti që të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta gjë që është cenuar nga vendosja e masave të përkohshme kundër Kosovës nga BE-ja”, tha Kurti. /Telegrafi/