Kryeministri i vendit, Albin Kurti, vlerëson se në Beograd ekziston mendimi se i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, i ka frikë serbët.
Kurti, në një intervistë për televizionin “O Kanal” të Bosnjës e Hercegovinës, ka thënë se në sjelljet dhe deklaratat e Escobarit ka lëshime ndaj Beogradit.
Por, Kurti thotë se së shpejti edhe Escobari do ta kuptojë se bujari e tij ndaj Beogradit nuk ja vlen.
“Mendoj se sjellja dhe deklaratat e zotit Escobar ndaj Beogradit janë lëshime. Por, nga ana tjetër, Beogradi nuk i kupton këto lëshime. Ata nuk mendojnë se është një virtyt i Escobar. Ata nuk mund të mendojnë se kjo është bujaria e Amerikës. Ata mendojnë: Ah, këta na kanë frikë. Pra, le të kërkojmë edhe më shumë”.
“Mendoj se edhe zoti Escobar, nëse nuk e ka kuptuar deri tani, do ta kuptojë shumë shpejt se kjo bujari ndaj Beogradit nuk ia vlen”, ka thënë Kurti.