Kurti: Sassoli ishte mik i Kosovës, do të na mungojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në Twitter, reagoi për vdekjen e presidentit të Parlamentit Evropian, David Sassoli.

Kurti shkroi se Sassoli ishte mik i Kosovës dhe solli vlera evropiane në institucionet e Bashkimit Evropian.

“Me keqardhje mësojmë për ndarjen nga jeta të David Sassolit, presidentit të Parlamentit Evropian, mikut të Kosovës dhe njeriut që vërtet solli vlerat evropiane në institucionet e BE-së. Do të na mungojë shumë”, shkroi Kurti

David Sassoli mbylli sytë përgjithmonë në orët e para të ditës së sotme. Ish-gazetari italian dhe politikani i qendrës së majtë ishte i sëmurë rëndë për më shumë se dy javë dhe kishte anuluar të gjitha aktivitetet zyrtare.

Për vdekjen e tij ka reaguar edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Ai ka thënë se Sassoli ka lënë boshllëk te secili që e ka njohur.

“Çfarë trishtimi! Miku ynë i mirë, Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli, një europian i paepur, një italian krenar, një avokat i zjarrtë i Shqipërisë, gazetar i shquar dhe më pas politikan i respektuar nga të gjithë, ndërroi jetë befasisht duke lënë pas një boshllëk të ndjeshëm tek kushdo pati nderin e kënaqësinë ta njihte”, ka shkruar ai.