Kryeministri Albin Kurti, ka thënë që si përfitues të shtesave për fëmijët, janë 200 mijë fëmijë dhe mbi 20 mijë lehona.
Kurti përmes një postimi në Facebook, ka thënë që këtë muaj po bëhen një vit prej kur për herë të parë e filluan skemën e Shtesave për Fëmijë dhe Shtesave për Lehona.
“Nga shtatori 2021 e deri më tani, nga këto dy skema kanë përfituar rreth 200 mijë fëmijë, mbi 20 mijë nëna të reja dhe dhjetëra mijëra familje të Republikës. Rishtazi hapëm aplikimin për fëmijët e lindur në vitin 2012, e në tetor do ta hapim edhe për fëmijët e lindur në vitin 2011. Kështu, gradualisht po zgjerojmë skemën e shtesave drejt synimit tonë për të përfshirë të gjitha gjeneratat deri në moshën 16 vjeçare”.
Kurti tutje ka thënë që shtesat për fëmijë dhe lehona janë dëshmi dhe do të bëhen traditë e qeverisjes së mirë.
“Nuk ka kthim prapa shtatorit të vitit të kaluar. Shtesat për fëmijë dhe lehona janë dëshmi dhe do të bëhen traditë e qeverisjes së mirë.
Të angazhuar që secila familje ta ndiej dorën e shtetit, do të vazhdojmë edhe më tej me politika që në qendër kanë ngritjen e mirëqenies për qytetarët tanë”, ka thënë ai.