Kurti reagon pas deklaratave të Thaçit, e fton në debat televiziv

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit Thaçi, i cili sonte përmes një lidhje direkte në një debat televiziv, i ka ftuar Kurtin dhe ministrin në detyrë të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, që të shkojnë ta vizitojnë në shtëpi.

Reagimi i presidentit Thaçi ka ardhur pasi ushtruesi i detyrës së Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Xhelal Sveçla, tha se Presidenti i Kosovës mbrëmë ka kaluar kufirin për në Shqipëri dhe për këtë nuk është njoftuar Protokolli i shtetit dhe nëse ai ka qenë i shoqëruar nga deputeti i Kosovës, Behgjet Pacolli rrugës së kthimit nga Shqipëria, është i obliguar t’i nënshtrohet rregullave të karantinimit.

Thaçi, në një bisedë telefonike në emisionin Debat Plus në Dukagjin i ka quajtur shpifje ordinere, kërcënim dhe shantazh se Pacolli është futur me të në Kosovë.

“Nëse u intereson Sveçlës dhe Kurtit lokacioni im, unë jam në shtëpi. U bëj thirrje atyre të mos krijojnë konfuzion, shpifje dhe marrëzira dhe të mos kërcënojnë njerëz të politikës e as deputetë, e në këtë rast as zotin Pacolli”.

E ndaj këtyre deklarate ka reaguar Kurti, duke thënës se “Presidenti i Kosovës, Thaçi, duhet të pushojë me këto kalime kufiri pa protokoll e në kundërshtim me masat e marra ndaj pandemisë COVID-19”.

“Ai është shembull i keq që qytetarët nuk bën ta ndjekin. Sa për sharjet e fyerjet që m’i bën, duke thirrur me zërin që i dridhet porsi kalama nëpër studiot televizive, e kam zgjidhjen: le ta organizojmë një debat televiziv ku dalim ne të dy, pra, unë Kryeministri në detyrë dhe ai Presidenti jashtë detyrës”, ka shkruar Kurti.

“Nëse don, le ta marrë me vete edhe Behgjet Pacollin. Në atë rast, po, edhe unë po e marr Xhelal Sveçlën e Rashit Qalajn”, ka thënë Kurti.