Kurti: Qeveritë u ndërruan shpesh, por në kryesitë e Vetëvendosjes pati stabilitet gjithmonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 49-të të Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, ka thënë se në kryesitë e kësaj lëvizjeje ka pasur gjithmonë stabilitet, për dallim nga qeveritë, që sipas tij, u ndërruan shpesh. 

“Kanë kaluar mbi 11 vjet dhe çdo katër vjet kemi zgjedhur organet e reja sipas ligjit e frymës demokratike. Në Kosovë qeveritë qendrore janë ndërruar më shpesh, por në kryesitë e Lëvizjes Vetëvendosje ne kemi pasur stabilitet gjithmonë”, ka thënë Kurti, njofton Klankosova.tv

Sipas tij, Vetëvendosje ishte stabile edhe në rastet kur, siç thotë ai, kanë pasur përndjekje të padrejtë si opozitë, “kemi arritur të shërojmë problemet, të ndreqim dëmtimet e të ecim përpara”.

Ai po ashtu foli edhe për të arriturat që ai thotë se pati Vetëvendosje nga fillimet e saj.

Kurti tha se më 21 janar 2018 Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur 29 mijë e 633 anëtarë, ndërkaq tani ajo ka 59 mijë e 882 të tillë.

Ai po ashtu shtoi se në vitin 2018 kjo lëvizje pati 307 pika, ndërkaq tani ka 485 në të gjithë vendin.