Kurti publikon Deklaratën e Paqes dhe jep detaje tjera nga takimi: Vuçiqi nuk mi pranoi tri librat që ia dhashë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas konferencës me gazetarë në Bruksel ka dhënë detaje të tjera nga takimi që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kurti ka prezantuar deklaratën e paqes e përbërë nga gjashtë pika që ka bërë në takim me Vuçiqin, i ndërmjetësuar nga Borrell.

I pari i qeverisë thotë se në takim me Vuçiqin i ka dhënë këtij të fundit tri libra por që nuk i ka pranuar.

“Për dallim nga ndërmjetësi Josep Borrell, kryetari i Serbisë nuk i mori tre librat që ia dhashë: rrëfime të grave të përdhunuara në Kosovë gjatë luftës, listën e 1.133 fëmijëve të vrarë prej të cilëve 109 janë ende të pagjetur, dhe librin “Muhaxhirët – Dosja Britanike” për dëbimin e shqiptarëve nga Sanxhaku i Nishit”, ka shkruar Kurti.

Ai edhe njëherë ka shprehur keqardhje që Serbia nuk pranoi futjen në tekst të togfjalëshit “ballafaqimi me të kaluarën”.

“Serbia si shtet ka ardhur në mesin e popullsisë shqiptare me gjenocid dhe ka ikur me gjenocid. Mosnjohja e së kaluarës së saj kriminale dhe mosnjohja e pavarësisë së Kosovës janë të lidhura ngushtë”.

Për fund Kurti thotë se Kosova është për dialog konstruktiv dhe për dallim nga Serbia “vendi ynë nuk ka dilema sa i përket integrimeve euro-atlantike.