Kurti: Pse Serbia s’ua mundëson krijimin e Asociacionit njëetnik minoriteteve atje, por e kërkon në Kosovë

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar disa të dhëna lidhur me komunat në shtetin e Serbisë, ku sipas tij, 11 nga to udhëhiqen nga kryetarë që nuk janë të nacionalitetit serb.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka thënë se në Serbi llogariten zyrtarisht 21 minoritete, por shteti atje s’ua mundëson themelimin e Asociacionit njëetnik.

“11 komuna në Serbi udhëhiqen nga kryetarë joserb. Asociacione një-etnike komunash do të mund të formonin hungarezët, boshnjakët, shqiptarët dhe bullgarët. Pse Serbia nuk ua mundëson këtë, përderisa e kërkon një gjë të tillë në Kosovë?”, shkroi ai.

Ndryshe, kryeministri Kurti gjatë javës së shkuar ka prezantuar para deputetëve në Kuvend, gjashtë pikat si kushte për themelimin e Asociacionit.

Sipas tij, Asociacioni mund të krijohet bazuar në këto kushte:

  • Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës;
  • Nuk mund te jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emri, nuk mund të bartë asnjë pushtet publik;
  • Duhet të ketë reciprocitet të të drejtave cfarëdo të drejta për serbët në kosovë duhet të ketë edhe për shqiptarët në Serbi;
  • Para vendosjes së Asociacionit, duhet të shuhen strukturat ilegale në veri dhe armët ilegale duhet të dorëzohen;
  • Asociacioni mund të jetë pjesë e marrëveshjes finale vetëm pas njohjes reciproke me ç’rast Serbia t’i ketë pranuar parimet e kartës së OKB-së;
  • Vuçiqi të tërheq letrat mosnjohëse që ka dërguar ndaj pesë shteteve të Bashkimit Evropian.

Marrëveshja për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë është arritur në vitin 2013, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por ajo nuk është zbatuar kurrë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar, më 23 dhjetor të vitit 2015, se parimet e përgjithshme të Asociacionit, të dakorduara po atë vit mes Kosovës dhe Serbisë, nuk ishin tërësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Kushtetuesja ka thënë se ky asociacion mund të formohet, nëse harmonizohen me Kushtetutën ato parime që nuk janë në harmoni me të.

Serbia, në anën tjetër, këmbëngul që Asociacioni të formohet në bazë të marrëveshjeve të arritura.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar vazhdimisht nga palët që t’i respektojnë të gjitha marrëveshjet e arritura, përfshirë atë për Asociacionin.