Kurti: Protestat në veri organizohen me direktivë nga Beogradi, serbët s’janë të lirë atje

Kryeminsitri Albin Kurti po e mban një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku po mbahet një seancë për tensionet në veri.

Kurti deklaroi se protestat në veri janë të kushtëzuar dhe po organizohen nga Beogradi. Andaj, sipas Kurtit qytetarët serbë nuk janë të lirë dhe nuk ka asgjë autentike në këto protesta.

“Pra atyre ua kushtëzojnë me punën e tyre me protestë të dhunshme, edhe kur shkojnë në protestë të dhunshme, ua shkruajnë ditë pushimi…Nëse vreni me kujdes, në Zveçan mblidhen disa qindra veta, në Zubin Potok dhe Leposaviq disa dhjetra, nganjëherë disa qindra. Por në ballë të tyre janë përgjithësisht këta të mbrojtjes civile”, deklaroi ai.

Kurti: Shoqërimi i kryetarëve me polici s’ishte vendim politik por i organeve të sigurisë

“S’ka asgjë autentike në ato protesta, nuk është vullnet i popullit, është direktivë e Beogradit. Mua më vjen keq për popullin serb, të cilët detyrohen të dalin në këto protesta, sepse unë mendoj që ata sot janë njerëzit më të pa lirë në Republikën e Kosovës. Pikërisht ai qytetari serb që duket se po e shprehë një vullnet aty para komunës, atij i mungon më së shumti liria, por jo për arsye të Prishtinës, por për shkak të Beogradit”, tha kryeministri Albin Kurti.