Kryeministri Albin Kurti e ka pritur në takim zëvendëspresidentin në Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Cameron Alford, për ta shënuar, siç thotë Zyra e Kryeministrit, “fillimin e një momenti të rëndësishëm për vendin tonë në zhvillimin e ekonomisë përmes transformimit të sektorit të energjisë, fillimin e programit Kompakt me MCC”.
I shoqëruar nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier dhe Drejtori i Programit të MCC, Rinor Gjonbalaj, Alford e uroi Kurtin për këtë fillim të ri e të rëndësishëm për Kosovën, përmes funksionalizimit të programit të përbashkët të Kosovës në mbështetje dhe bashkëpunim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Kryeministri njoftoi z.Alford me suksesin në ankandit e energjisë solare dhe me strategjinë ambicioze të Qeverisë për energji, që shërben edhe si platformë e punës së Kompaktit. Më tej, bashkë me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftoi z.Alford me vizionin e Qeverisë në kuptim të zhvillimit të ekonomisë dhe rritjes së punësimit përmes investimit në aftësimin profesional, investimin në energji dhe në përgatitjen e kuadrove të reja në fushat STEM përmes bursave të studimit”, ka njoftuar Zyra e Kryeministrit.
Programi Kompakt i cili komponentë kryesore ka ndërtimin e kapaciteteve akumuluese të energjisë, parasheh edhe komponenta të rëndësishme për zhvillim të kapaciteteve njerëzore e rritje të barazisë gjinore në sektorin e energjisë në vend. Programi Kompakt ka vlerë prej 236.7 milionë dollarësh, nga të cilat 202 janë grant nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kurse 34.7 milionë janë bashkëfinancim nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Së bashku me MCC dhe MCA, ashtu si me shumë projekte e programe tjera të USAID, e në partneritet me SHBA-të, Qeveria e Republikës së Kosovës zotohet të zbatojë programet në përpikëri dhe në dobi të qytetarëve të saj”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.
Ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjes për hyrjes në fuqi të MCC Compakt mbahet sot në orën 17:00.