Kurti priti në takim bashkorganizatorët e protestës studentore të 1 Tetorit 1997

Në përvjetorin e 24-të të protestave studentore të vitit 1997, me ftesën e tij, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim bashkorganizatorët e protestës që bëri kthesë politike në Kosovë dhe bëri jehonë të madhe ndërkombëtare. 

Në takim ishin edhe familjarë të profesorit të ndjerë Ejup Statovci, profesoresha Drita Halimi Statovci dhe Anila Statovci.

Para takimit kryeministri Kurti vuri lule të freskëta te varri i profesorit Statovci, i cili së bashku me studentët organizatorë ishte në ballë të protestës masive, që për kërkesë kryesore kishte lirimin e pakusht të hapësirave universitare të uzurpuara nga regjimi serb. 

“Çdo 1 tetor kujtojmë marshimin në protestat e 1997-ës të mijëra studentëve të veshur në të bardha, që me vullnet për liri e dëshirë për dije kërkonin lirimin e ndërtesave dhe hapësirës universitare nga regjimi i atëhershëm serb dhe përkujtojmë intelektualin që na priu profesor Ejup Statovci”, tha kryeministri Kurti. 

Ai tha se më 1 tetor të vitit 1997 u thye një heshtje dhe frikë e gjatë dhe popullit nisi t’i rikthehej dinjiteti.


U rikujtuan ditët parapërgatitore të protestave, rreziqet dhe kushtet e vështira të veprimit, si edhe zemërgjerësia e njerëzve guximtarë që dëshirës së madhe të studentëve për dije iu mundësuan vijimin e mësimeve në shkollat-shtëpi.

Në takim ishin prorektori i atëhershëm i Universitetit të Prishtinës, profesori Ahmet Geca, drejtuesit e Lëvizjes studentore ministri Xhelal Sveçla, zëvendësministri Hysen Durmishi, Bujar Dugolli, Fatban Bunjaku, Jeton Rexha, Lulëzon Jagxhiu, Mihane Salihu, Mentor Bogaj, Milot Cakaj dhe Veton Demaj.