Kurti priti ambasadorët e QUINT-it, biseduan për kornizën e marrëveshjes me Serbinë dhe vendimin për targat


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim ambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në vend, procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për çështjet aktuale, me theks te energjia dhe vendimi i Qeverisë për targat të veturave.

Në njoftimin nga Qeveria thuhet se sa i përket temës së dialogut, në takim u diskutua për elementet e ndryshme në kornizën themelore të marrëveshjes së ardhshme, për të cilën kryeministri Kurti tha që duhet ta sjellë normalizimin e plotë me njohjen reciproke në qendër.

Sipas njoftimit energjia kishte vëmendje të veçantë.

Kryeministri Kurti i njoftoi ambasadorët për masat e qeverisë në ndihmë të qytetarëve dhe si përgjigje ndaj krizës energjetike që ka kapluar të gjithë kontinentin e Evropës.

Ai po ashtu foli për rëndësinë e zbatimit të plotë dhe të shpejtë të udhërrëfyesit për energji, ndaj të cilit dakordim Republika e Kosovës dhe institucionet vartëse kanë treguar përgjegjshmëri të lartë duke përmbushur obligimet tona në kohë rekord.

Në lidhje me vendimin për targa, ai tha se nuk është i drejtuar kundër serbëve të Kosovës.

“Nëpërmjet tij dhe me ftesën tonë të hapur për të konvertuar targat e tyre në ato legale dhe zyrtare, edhe po respektojmë sundimin e ligjit edhe po u japim lehtësime financiare”, u shpreh kryeministri Kurti.