Kurti prezanton programin e Qeverisë

Kryeministri Albin Kurti e ka shpalosur Programin e Qeverisë për vitet 2021-2025.

Ai, në mbledhjen e qeverisë, paraqiti disa nga zotimet e ekzekutivit të cilin e drejton.

“Po paraqes disa prej zotimeve në vijim dhe përmbajtjes kryesore të programit tonë – Do të ndërmarim Vetting në drejtësi e prokurori dhe pozitat e larta në polici dhe inteligjencë. Nuk do të ketë asnjë qytetar në varfëri ekstreme, sepse do të reformojë skemat sociale dhe do të aktivizojmë fuqinë punëtore. Do të rishikojmë skemat e asistencës dhe do të reformojmë sistemin pensional. Do të sigurojmë shtesat për fëmijët, punësim të garantuar sezonal për një anëtar të familjes dhe rimbursim për familjet e varfra”.

“Do të ndërtojmë 160 çerdhe të reja për fëmijë anembanë Kosovës. Do të mundësojmë banim të përballueshëm social për 4000 familje me skemat 120X 120, përkatësisht 150 X 150. Përmes rritjes së pagës minimale në 250 euro për 40 orë pune në javë dhe ngritjes së pragut të pagës që nuk tatohet në nivelin e pagës minimale do të sigurohemi që ata që kanë paga më të ulëta të kenë më shumë para në xhep në fund të muajit”.

“Do ta përmbyllim zhvillimin e sistemit informativ shëndetësor dhe do të fillojmë rritjen e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Deri në fund të mandatit do ta përmbyllim reformën e Administratës Publike. Do të zbatojmë diversifikimin e burimeve të energjisë, asetet strategjike do t’i mbështesim, derisa Trepçën do ta bëjmë ndërmarrje fitimprurëse. Do t’i trajtojmë me prioritet mbrojtjen e resurseve natyrore dhe të mjedisit, si dhe efiçiencën e energjisë. Deri në fund të mandatit do të angazhohemi për qasje në ujë të pijshëm gjithandej dhe të zgjidhet problemi me ujërat e zeza në Kosovë”.

“Me infrastrukturë do të mundësojmë finalizimin e lidhjeve kyçe dhe ndërtimin e aksit Prizren-Tetovë. Do ta ndërtojmë Parkun Tekno-Industrial më të madhin në rajon dhe reforma e arsimit do të trajtohet me prioritet nga arsimi parashkollor duke synuar që deri në fund të mandatit të fillojë zbatimi i sistemit dual të edukimit. Zhvillimi bujqësor i qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës duke mbështetur fermerët do të jetë prioritet me qëllim të rritjes së produktivitetit dhe zhvillimit rural. Do të transformojmë rrënjësisht sektorin duke eliminuar keqpërdorimet dhe duke ndërtuar ekonomi të qëndrueshme dhe siguri në ushqim”.

“Siguria dhe shëndeti në punë do të trajtohet me prioritet, prandaj deri në fund të mandatit do të ketë pesëfishim të inspektorëve të punës. Do të mundësojmë autonomi për investime kapitale komunave përmes granit të katërt”.

Shefi i qeverisë tregoi se pjesë e programit qeverisës është edhe mërgata.

“Pjesë integrale e planit tonë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik janë edhe mërgata jonë. Përmes krijimit të instrumenteve për investim do të sigurohemi që kapitali i mërgatës tonë do të kanalizohet në investime që krijojnë vende të reja pune. Prandaj, duke filluar nga ky vit do të emetohen bono thesare të dedikuara vetëm për mërgatën”./ Klan Kosova