Kurti pret ambasadorin çek, përmend punën pozitive ndaj Kosovës gjatë udhëheqjes s

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur ditën e sotme në takim ambasadorin e ri të Republikës së Çekisë në Kosovë, Bohumil Mazanek.

Pasi u takuan zyrtarisht për herë të parë në pritjen e ambasadës çeke me rastin e 105-vjetorit të Festës Kombëtare të 28 tetorit të vitit 1918, takimi i sotëm rastisi në një datë tjetër historike për Çekinë, atë të “Revolucionit të Kadifenjtë” të 17 nëntorit 1989.

Zyra e Kryeministrit tha se së fundmi, Kosova dhe Republika e Çekisë, ngritën nivelet përkatëse të përfaqësimit në atë më të lartë, të ambasadorëve me të drejta të plota.

“Ky hap është një dëshmi e marrëdhënieve tona të shkëlqyera, të ndërtuara mbi angazhimin tonë të përbashkët për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit”.

Kryeministri Kurti dhe ambasadori Mazanek diskutuan mbi marrëdhëniet bilaterale duke theksuar gatishmërinë për rritje të bashkëpunimit në fusha kyçe si ekonomia, shkëmbimet tregtare, siguria dhe mbrojtja, diplomacia parlamentare e kultura.

Kurti këtu përmendi edhe punën e Republikës Çeke për Kosovën sa ajo ishte në kryet të Presidencës së BE-së.

“Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht dorëzuam dhjetorin e kaluar në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE”, thuhet në njoftim.

Kryeministri Kurti theksoi përkushtimin e Republikës së Kosovës në objektivat strategjikë të vendit siç janë anëtarësimi në Këshillin e Evropës, në Partneritetin për Paqe të NATO-s dhe marrja e statusit të vendit kandidat për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Ai e falënderoi ambasadorin Mazanek për përkrahjen e vazhdueshme të Çekisë ndaj Kosovës.

Ambasadori shtoi se Çekia është një mbështetëse e madhe e Kosovës dhe kjo është politikë konstante e vendit.

Gjithashtu, Kurti i ofroi dhe ngushëllimet e tij popullit çek për humbjen e një personaliteti të rëndësishëm si ish-ministri i Punëve të Jashtme, Karel Schëarzenberg.

Duke ritheksuar përkushtimin për forcimin e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, Kryeministri Kurti e falënderoi ambasadorin Mazanek për bisedën dhe angazhimin e tij.