Kryeministri në detyrë Kurti zhvilloi biseda telefonike me tre asamblistët shqiptarë të komunës së Medvegjës, Muharrem Salihun, Florim Sahitin e Fehmi Behën, dhe gjithashtu me Kryetarin e Këshillit Kombëtar Shqiptar, z. Ragmi Mustafa.
Kryeministri Kurti i kontaktoi për të biseduar rreth situatës që është krijuar tashmë në shumicën e vendeve të botës me pandeminë COVID-19, dhe e cila nuk përjashton as Preshevën, Medvegjën e Bujanocin. Ai u interesua se me çfarë sfida po përballën qytetarët atje dhe se çka mund të bëjë Republika e Kosovës për bashkëkombësit tanë në këto tri komuna shqiptare.
Kryeministri Kurti i njoftoi ata të gjithë që në koordinim me Ministrinë e Financave e Transfereve dhe me Ministrinë e Shëndetësisë t’ju ndihmojë shqiptarëve të Luginës për ta tejkaluar sa më lehtë e shpejtë këtë pandemi. Shqiptarët e Medvegjës u ankuan që përveç pandemisë COVID-19, ata janë duke u përballur edhe me pandeminë e pasivizimit të adresave dhe ç’regjistrimit të banorëve shqiptarë.
Në Medvegjë janë të regjistruar 1.200 shqiptarë, ndërsa në vitet e fundit rreth 4.000 të tjerë janë ç’regjistruar. Si pasojë e këtij dëbimi të heshtur, Medvegja rrezikon të humbë dygjuhësinë. Qeveria e Kosovës gjithmonë do të solidarizohet me shqiptarët e Preshevës, Medvegjës e Bujanocit dhe do të jetë pranë tyre gjatë çdo vështirësie.