Kryeministri Albin Kurti ka thënë që qeveria në situatën alarmante me numrin e të infektuarve me COVID-19 është ndier e detyruar që të veprojë.
“Gjendja emergjente e shëndetit publik, na detyron që të kufizojmë lirinë e lëvizjes, lirinë e tubimit, e të drejtën e privatësisë, dhe lirinë e dhënies së shërbimeve dhe të administrimit të biznesit”, ka shkruar ai në Facebook duke iu referuar ligjit 07/L-006 për Parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19.
“Marrja e masave është bërë duke iu kushtuar rëndësi tri objektivave: minimizimit të ekspozimit ndaj COVID-19 dhe ngadalësimit të përhapjes së tij, ashtu që kapacitetet shëndetësore të shëndetit publik të mos përmbyten përtej limitit të tyre; ruajtjes së shëndetit mendor dhe fizik të qytetarëve; dhe, për aq sa është e mundur, mbajtjes së aktivitetit ekonomik të hapur”.
Kurti bëri thirrje që të respektohen këto masa në mënyrë që të mbrohet shëndeti publik dhe personeli shëndetësor, teksa njoftoi se po angazhohen që të sigurojnë sa më shumë vaksina.
“Që të ruajmë njëri-tjetrin, që të mbrojmë shëndetin tonë publik, që të kujdesemi edhe për personelin tonë shëndetësor i cili po kujdeset për shëndetin tonë, ju bëj thirrje që t’u përmbaheni masave që janë treguar efektive dhe tashmë janë bërë pjesë e përditshmërisë sonë: ruani distancën fizike, mbajeni maskën mbrojtëse e higjienën personale dhe ajrosini ambientet ku jetoni e punoni. Ndërkohë, po vazhdon vaksinimi dhe po angazhohemi që sa më shpejt të sigurojmë sa më shumë vaksina të reja”.