Kurti për tërheqjen e Trustit: Po manipulohet me propozimin, vetëm 8% e llogarive janë përfituesit kryesor

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vetëm 8 për qind e llogarive në Trust, janë përfituesit kryesor të propozimit për tërheqjen e kursimeve dhe se po manipulohet me propozimin e dërguar në Kuvendin e Kosovës.

Kurti në mbledhjen e fundit të Qeverisë, ka theksuar se 80 për qind e qytetarëve kanë vetëm 1,100 euro në llogari të kursimeve.

“Nga mbi 630 mijë llogari që janë të hapura, edhe pse gjysma e tyre jo aktive, në Trustin Pensional të Kosovës, 90 për qind e tyre kanë të akumuluara më pak se 10 mijë euro. Kurse, 80 për qind e llogarive apo mbi 500 mijë kanë mesatarisht 1100 euro në llogari”, tha Kurti.

Sipas tij, vetëm 1.2 për qind e llogarive në Trust kanë 30 fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve.

“Pjesa më e madhe, apo gjysma e kursimeve, janë të koncentruara në afërsisht në 8 për qind, pra kanë gjysmën e mjeteve të akumuluara. Pra vetëm 1.2 për qind e bartësve të llogarive kanë 30 fish më shumë se 80 për qind e qytetarëve që kanë llogari në Trust”, ka theksuar ai.

Në fund, Kurti ka pohuar se po manipulohet për tërheqjen e kursimeve.

“Andaj, këta 8 për qind, do të ishin përfituesit kryesor për një skeme për rrënimin e Trustit Pensional. Janë këta që e kanë sjell këtë propozim në Kuvend dhe janë këta që po e keqpërdorin vrazhdësish edhe rrjetin medial për të manipuluar opinionin si për përmasat e krizës edhe për domosdoshmërinë e tërheqjes së Trustit”, ka përfunduar Kurti.