Kryeministri Albin Kurti ka thënë se ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit është ndërhyrje në sovranitet dhe demokraci të vendit.
Në konferencën për medie bashkë me ministrin në largim për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, Kurti ka thënë se vetë Rashiqi “është kërcënuar vazhdimisht nga Milan Radoiçiqi dhe dhe njerëzit e tij me anë të mesazheve”.
“Ndërhyrja e Serbisë në zgjedhjet tona parlamentare është ndërhyrje në sovranitetin dhe demokracisë sonë”, ka thënë Kurti.
Kurti ka shtuar se Serbia është angazhuar sidomos për ta dëmtuar subjektin politik të udhëhequr nga Nenad Rashiq, si dhe nga Aleksandar Arsenijeviq.
Ai ka thënë se joshja financiare është bërë me anë të ndarjes së 20 mijë dinarëve për të gjithë të papunët.
Sipas Kurtit, presidenti serb Aleksandar Vuçiq, e ka autorizuar kryeterroristin Milan Radoiçiq, për ta zbaruar planin për ndërhyrje në Kosovë.
“Presidenti i Serbisë e ka autorizuar kryeterroristin Radoiçiq për të zhvilluar planin e ndërhyrjes në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Në kuadër të këtij plani ka qenë përpilimi i listave me votues të sigurte. Listat e tilla i kanë përmbajtur së paku 50 persona “votues të sigurt”. Sipas urdhrit këta të ashtuquajtur votues të sigurt janë kërcënuar se nëse nuk do ta votojnë Listën Serbe do të kenë pasoja. Pjesëtarë të strukturave ilegale serbe janë kërcënuar janë kërcënuar nga Milan Radoiçiqi përmes Ivan Zaporozhac, kryetarit të komunës ilegale të Mitrovicës që të raportojnë të gjithë ata persona që refuzojnë ta votojnë Listën Serbe. të nënshkruhen në listat e të ashtuquajturave “vota të sigurta” apo që të deklarohen se do t’i bojkotojnë zgjedhjet…”, është shprehur ai.
Kurti tutje ka shtuar se Beogradi ka përpiluar listë me emrat e shtatë kandidatëve, të cilët duhet të votohen.
“Është diktuar edhe lista e shtatë kandidatëve të Listës Serbe të domosdoshëm për votim. Pra Beogradi ka përpiluar listë ku shtatë kandidatë, patjetër duhet të votohen, ndërkaq tre të tjerë janë lënë të lirë për qytetarët. Lista përmbante këta emra: Zlatan Elek, Slavko Simiq, Igor Simiq, Branislav Nikoliq, Verica Qeraniq, Sërgjan Popoviq dhe Liljana Stevanoviq”, ka thënë ai.