Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas Samitit në Berlin, ka folur për mospraninë e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.
Serbia, në këtë samit, është përfaqësuar nga kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, në mungesë të Vuçiqit.
Kurti ka thënë se ndonëse nuk e di arsyen e mospranisë së presidentit serb, megjithatë ai ka thënë se mungesa e tij nuk është vërejtur.
Për Kurtin, Vuçiqi kur nuk mund t’i dalë ballë detyrës, e sakrifikon dikë tjetër.
“Nuk e di pse nuk ka ardhur dhe nuk është që na mungoi fort, sigurisht jo mua. Bëhet fjalë për një samit në të cilin qartazi nga pothuajse secili folës dënohej agresioni rus në Ukrainë, invazioni atje dhe sidomos çështja me energjinë kur dihet se gazin e ka shndërruar në armë lufte Putini dhe ka mundësi që për një situatë të tillë është frikësuar që të jetë i pranishëm ku do të ishte i vetmuar ndaj siç ka vepruar jo rrallëherë sakrifikon dikë tjetër në vend që t’i dalë ballë detyrës”, ka thënë Kurti.
Kur pyetet nga gazetarët se kur do të ketë një takim me presidentin serb, Kurti ka thënë se varet nga ndërmjetësuesit.
“Gjithçka varet nga ndërmjetësuesit. Nga ta varet koha e takimeve, sa i përket mua, ata e dinë interesimin dhe gatishmërinë”, shtoi Kurti.
Në anën tjetër, kur pyetet për një takim të mundshëm midis tij dhe presidentit francez, Emmanuel Macron, Kurti është shprehur i gatshëm që t’i përgjigjet secilës ftesë nga Pallati Elysee.
“Kur të na vijnë ftesa sigurisht iu përgjigjemi dhe e mirëpres çfarëdo iniciative për të intensifikuar bisedimet për marrëveshje finale me Kosovës dhe Serbisë që vjen nga pallati Elysee”.
“Marrëveshja për njohjen reciproke të letërnjoftimeve, të diplomave universitare dhe të kualifikimeve profesionale”.
Këto janë tri marrëveshjet që janë nënshkruar nga liderët e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Procesit të Berlinit që po mbahet në Berlin.
Ndërsa, heqja e regjimit të vizave në mes të Kosovës dhe Bosnje e Hercegovinës pritet të bëhet përmes vendimeve të tjera bilaterale.
Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, në fjalimin e tij në Samitin e Berlinit ka thënë se vendet e Ballkanit Perëndimor janë përkushtuar të punojnë së bashku për të arritur qëllimet dhe synimet në Tregun e Përbashkët Rajonal dhe jo vetëm.
Scholz në këtë samit ka thënë se procesi i normalizimit të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet dhe se mund të llogarisin në Procesin e Berlinit për mbështetje.
“Zotimet që po i bëjmë sot janë me urgjencë për shkak të luftës Rusi-Ukrainë, procesi i normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet të përshpejtohet, mund të llogarisin në këtë proces që do t’i mbështesë”, ka deklaruar Scholz.
Ky samit përndryshe është konsideruar si lëvizje drejt integrimit të mëtejshëm dhe stabilitetit të rajonit që vendet si Serbia, Mali i Zi, Bosnjë e Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Kosova dhe Shqipëria t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të frikës nga ndikimet gjithnjë e më të shtuara të Rusisë dhe Kinës në rajon.
Procesi i Berlinit ka nisur në vitin 2014 me iniciativën e kancelares së atëhershme gjermane, Angela Merkel.
Qëllimet kryesore të këtij procesi janë, përmirësimi i bashkëpunimit rajonal dhe integrimi evropian i rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Procesi fokusohet në lëvizjen e lirë të njerëzve, shërbimeve, mallrave dhe kapitalit.
Ky proces përfshin të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje e Hercegovinën.
Ndërsa, shtetet pjesëmarrëse të BE-së janë, Austria, Bullgaria, Kroacia, Franca, Greqia, Gjermania, Polonia, Sllovenia dhe Italia.