Kurti për hapjen e Urës: Po i bëjmë punët e shtëpisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se autoritetet janë duke kryer punët e shtëpisë sa i përket planit për hapjen e Urës mbi Ibër në Mitrovicë.

Në mbledhjen e Qeverisë të mërkurën, kryeministri ka thënë se çështjen e hapjes së Urës mbi Ibër e ka diskutuar në takimet që ka pasur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vizitat që janë bërë në Kosovë javëve të fundit.

“Në të gjitha këto takime natyrisht diskutohet edhe çështja e hapjes së urës qendrore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, për të cilën jemi duke i bërë të gjitha konsultimet e nevojshme, si dhe punët tona të shtëpisë, si për shembull trajtimi i draftit preliminar për qëndrueshmërinë fizike të urës, teksa presim raportin final, e deri te përgatitjet për rregullimin e pamjes dhe pastrimin e mjedisit rrotull. Hapja e urës është liri e lëvizjes. E liria e lëvizjes është e drejtë themelore si në Republikën e Kosovës ashtu edhe në Bashkimin Evropian”, ka thënë ai.

Kurti po ashtu ka thënë se në vizitën në SHBA ditë më parë ka bërë thirrje që të shtohet trysnia mbi Serbinë për ta dorëzuar tek autoritetet e Kosovës, Milan Radoiçiqin, që ka marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë, në të cilin u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.