Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u është drejtuar simpatizantëve të kësaj lëvizje në qytetin e Podujevës pas shpalljes së rezultateve preliminare nga KQZ.
Ai ka thënë se sonte në Podujevë ka fituar çdo qytetar që ka vendosur që Shpejtim Bulliqi ta drejtojë komunën, njofton Klan Kosova.
“Kjo nuk është zgjedhje, kjo që ka ndodhur sonte është referendum”, është shprehur ai.
“Jo vetëm sonte por edhe në të ardhmen në Kosovë do të ketë referendume sepse populli është përcaktuar për Vetëvendosjen”.
“Qeverisja jonë do të jetë pa diskriminim pa privilegje. Ne nuk po e marrim komunën, po ua kthejmë komunën. Do të jemi pranë jush sepse jemi si dhe gjithmonë do të mbetemi si ju”.
Kurti u ka bërë thirrje qytetarëve të grumbulluar që të shpërndahen pas fjalimeve të tyre.
“Me siguri që të gjithë jemi të gëzuar dhe më siguri që festa nuk do të përfundojë sonte, por pas fjalës së Bulliqit, ju lus që të shpërndaheni në mënyrë të qetë sepse qeverisja e re do të ofroj gëzim edhe për jetesën e mirë që do ta keni ju e secili prej jush”.