Nga e diela euroja është valuta e vetme për transaksione në Kosovë, e për ata që përdorin dinarin do të ketë masa ndëshkuese, por kryeministri Albin Kurti ka thënë se nëpërmjet kësaj po synohet ligjshmëria.
Ai ka deklaruar se nëpërmjet Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), është duke u vendosur transparenca, e jo dënimi.
“Banka Qendrore e Republikë së Kosovës, e ka sqaruar se qëllimi është ligjshmëria, transparenca dhe jo ndëshkimi dhe dënimi. Janë ata të cilët janë më lartë se para nesh dhe prin në këtë proces të tranzicionit sa më të lëmuar të kalimit si mjet pagese”, është shprehur Kurti të hënën për RTK-në.
Ai ka shtuar se Rregullorja e BQK-së nuk është për të dalë kundër dinarit, por për euron si mjeti i vetëm për pagesa në Kosovë.
Në anën tjetër, gjatë kësaj jave pritet të zhvillohet një takim i ardhshëm në Bruksel mes palës kosovare dhe serbe për të diskutuar mbi dinarin.