Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë duhet të normalizohen dhe kjo ka thënë ai, është e mundur duke u mbështetur në fuqinë e SHBA-së dhe BE-së.
Ai ka thënë se BE-ja dhe SHBA-ja duhet t’u bëjnë trysni Beogradit që të krijohen marrëdhënie normale dhe të arrihet marrëveshje me njohje reciproke në qendër.
“Presidenti amerikan e ka thënë qartë që Kosova dhe Serbia kanë nevojë për një marrëveshje finale e cila bën normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohjen reciproke në qendër dhe ne plotësisht pajtohemi. Kosova ka shënuar hapa të mëdhenj në vitet e fundit, kemi stabilitet institucional dhe raporti i progresit është më i miri që ka pasur vendi ynë. Fakti që jemi shtet normal, nuk do të thotë se kemi marrëdhëniet normale me fqinjin tonë. Ato marrëdhënie duhet të normalizohen por jemi të bindur se këto marrëdhënie nuk janë normale sepse Serbia është regjim hibrid. Normalizimi ka nevojë për marrëveshje ndërkombëtarisht dhe ligjërisht të obligueshme, që njohjen duhet ta ketë në qendër. Besoj se është e mundur sepse besoj në fuqinë e BE-së dhe SHBA-së që të bëjë trysni shtesë mbi Beogradin. Ka nevojë për trysni shtesë mbi Beogradin”.
Kurti ka thënë se problemi qëndron te Beogradi, dhe për këtë, ka theksuar ai, nevojitet trysnia nga ndërkombëtarët.
“Në Serbi ministri i Jashtëm, dikur zëvendës i partisë së Millosheviqit më 6 nëntor pati deklaruar se pas mbledhjes së Këshillit Kombëtar e kanë hedhur poshtë propozimin franko-gjerman. Problemi është në Beograd. Besoj se Brukseli, Parisi, Roma, Berlini, Londra, e Uashingtoni kanë mjaftueshëm fuqi të bëjnë trysni në Beograd. Roli i SHBA-së është edhe në mbështetje të propozimit franko-gjerman”.
Kurti ka mohuar raportet për çnjohje të cilat janë bërë nga Serbia. Ai ka thënë se çdo pretendim i Aleksandër Vuçiqit gjithnjë ka dalë i pavërtetë.https://smartysrv.com/r/p.html?f=yxjqqtm&e=1553801947961
“Mua më duken se janë më shumë përpjekje e Beogradit ku në një situatë ku ata i kanë humbur mbështetjet e demokracive perëndimore, të përpiqen të tregohen të suksesshëm me luftën e tyre, agresivitetin në arenën ndërkombëtare diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës. Deri sot asnjëri prej pretendimeve që e kanë thënë në Beograd, konkretisht presidenti i Serbisë, nuk është vërtetuar nga MPJ-ja jonë”.
Kryeministri ka theksuar se Kosova sa është shtet i pavarur, është e pavarur edhe nga mosnjohja e Serbisë.
“Ndonëse Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova po ka sukses gjithandej. Jemi shembull i suksesit. Kosova jo vetëm që është shtet i pavarur, por edhe aq shumë e pavarur nga mosnjohja e Serbisë. Kjo nuk duhet të harrohet dhe nervoza në Beograd vjen nga kjo lloj pavarësie e dyfishtë e Kosovës”.