Kurti për “Bloomberg”: BE-ja të kthehet tek esenca e vetë – që është zgjerimi

Në margjina të Samitit të Bashkimit Evropian me shtetet e Ballkanit Perëndimor në Brdo të Sllovenisë, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka dhënë intervistë për mediumin amerikan “Bloomberg”.

Aty ai ka theksuar se fondet e Bashkimit Evropian për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor duhet të jenë të ndërlidhura me vlerat e BE-së, transmeton Klankosova.tv.

“Bashkimi Evropian duhet të ndërlidhë ndarjen e dhjetëra miliona eurove, të rezervuara për gjashtë vendet e Ballkanit që shpresojnë t’i bashkohen bllokut, me të dhënat e tyre mbi sundimin e ligjit dhe luftimin e korrupsionit”, është shprehur Kurti.

Deklaratat e Kryeministrit Kurti janë një thirrje e rrallë për më shumë mbikëqyrje të BE-së nga një rajon që është gjithnjë e më shumë i pakënaqur me ngurrimin e bllokut për të përshpejtuar procesin e pranimit të anëtarëve të rinj.

Ato përkojnë edhe me konfrontimin mes Komisionit Evropian dhe anëtarëve të tij  – Polonisë dhe Hungarisë, që rrezikojnë të humbasin ndihmën në vlerë të miliarda eurove për shkak të ngecjes në demokraci dhe shkeljeve të sundimit të ligjit.

“Nuk duhet të ketë fonde të BE-së, pa vlera të BE-së,” tha ai gjatë një interviste në margjinat e samitit në Slloveni. “BE-ja nuk duhet të heq dorë nga natyra e saj transformuese, për atë transaksionale”.

Kurti ka thënë se ndonëse e kupton një masë hezitimi të shteteve anëtare për zgjerimin e mëtejshëm të bllokut për shkak të mosmarrëveshjeve dhe përplasjeve sa i përket vlerave demokratike të anëtarëve që u pranuan më herët gjatë këtij shekulli, ai paralajmëron kundër përhapjes së këtij hidhërimi në procesin e zgjerimit.

“Mendoj se është mirë që BE-ja të kthehet tek esenca e vetë – që është zgjerimi”.

“Dhe kurdo që thuhet zgjerim i BE-së, së pari dhe para së gjithash është Ballkani Perëndimor, me të cilin BE-ja arrin harmoninë e vetë si kontinent”, ka thënë ai ndër të tjera.