Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se subjekti të cilin ai e drejton është subjekti që respekton më së shumti statutin dhe demokracinë e brendshme, ashtu siç e zhvillon demokracinë në nivel qendror.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Kurti ka thënë se pavarësisht pandemisë, ata nuk e kanë ndalur veprimtarinë partiake, por e kanë përshtatur atë me kushtet e pandemisë.
“Para tre muajve kur e rimorëm detyrën kishte dhjetëra vdekje e qindra të infektuar. Sot është lajm kur kemi vetëm një të vdekur, kurse numri i rasteve aktive ka rënë shumë. Kemi arritur të sigurojmë donacione e kontrata për të arritur synimin tonë vaksinimin e 60% të popullsisë brenda këtij viti. Vaksinimi masiv ka nisur. Merita më e madhe i shkon sigurisht ministrit Vitia”, ka thënë Kurti për gjendjen pandemike.
Më tutje, ai ka thënë se përparim ka edhe në ekonomi dhe se rritja ekonomike do të shkoj deri në 7.9%.
Kreu i ekzekutivit ka përmendur edhe disa veprime që i kanë ndërmarr për të nxitur investimet nga diaspora, mirëpo ka theksuar se ata po punojnë në ç’kapjen e agjensioneve të pavarura dhe ndërmarrjeve publike.
Kurti kur ka folur për infrastrukturën ka thënë se nga qeverisja e tij po kursehen dhjetëra miliona euro.
“Do të hetohen prej organeve përkatëse përse janë lidhur më herët kontrata më çmim më të lartë së ai i tregut. Sa i përket politike së jashtme, kurrë nuk ka pasur më shumë vizita nga jashtë dhe pritje jashtë vendit të krerëve të shtetit. Po zhvillojmë një partneritet edhe më të fortë me ShBA-të”, ka shtuar Kurti.
Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë ai ka kujtuar katër propozimet e dhëna në Bruksel.
“Marrëveshja përfundimtare dhe ligjërisht obliguese, për neve është ajo që nuk e ndan njohjen nga ulësja në OKB. Marrëveshja është ligjërisht e obligueshme atëherë kur ajo e ka formën dhe përmbajtjen e një marrëveshje ndërkombëtare sipas kërkesave dhe qëllimeve të konventës së Vjenës për ligjin mbi traktatet”, ka theksuar Kurti.
Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për zgjedhjet lokale ku ka thënë se VV synon t’i fitojë një numër të madh të komunave dhe atë pa balotazh.
Poashtu, ai ka konfirmuar se bashkëpunimi me Listën Guxo do të vazhdojë edhe në zgjedhjet lokale.