Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me projektligjin për Pagat e Zyrtarëve Publikë mësimdhënësit do ta kenë koeficientin më të lartë të pagave ndonjëherë.Në një konferencë për media në objektin e qeverisë, Kurti tha se punëtorët e arsimit janë trajtuar “me kujdes të veçantë” si kategori në Projektligjin për Pagat e Zyrtarëve Publikë.
“Gjithsej janë zhvilluar tridhjetë takime ndërmjet qeverisë dhe sindikatave. Sindikatat e filluan grevën e tyre më 25 gusht, tetë ditë pas njoftimit të MPB-së se Projektligji për Pagat është proceduar në konsultime paraprake. Konsultimet paraprake kanë përfunduar dhe këtë javë projektligji vihet në diskutim publik”, tha Kurti.
“Të gjitha kategoritë e punëtorëve të arsimit janë trajtuar me kujdes të veçantë. Me këtë projektligj, mësimdhënësit do ta kenë koeficientin më të lartë ndonjëherë”, deklaroi Kurti.
“Në takim më është thënë ‘kryeministër lëviz’. Megjithatë, unë kam lëvizur dhjetë herë vetëm në drejtim të kërkesave të sindikatave dhe të punëtorëve të arsimit. Andaj, pikërisht për këtë arsye, kërkoj që nxënësit të shkojnë në shkolla e mësimdhënësit të shkojnë në shkolla. Nuk bën t’i bëhet bojkot shtetit, sepse shkolla është e shtetit”, tha shefi i qeverisë.