Kurti: Nuk kam pasur takime për çështjen e presidentit

Kryetari i LVV-së Albin Kurti ka thënë se nuk ka pasur takime lidhur me çështjen e zgjedhjeve për president të vendit.

Ai gjatë konferencës për media tha se Kosova tash e ka një president, ndërsa ka thënë se duhet të ketë unitet, që sipas tij nuk ka derisa është një “qeveri e paligjshme”.

“Nuk mund të ketë unitet pa legjitimitet. Presidenti a presidentja e re duhet ta përfaqësojë unitetin e popullit. Nuk mund të bëhet në kushte kur kemi qeveri të paligjshme. Nuk kam pasur takime për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Ka ushtruese detyre te presidentit, nuk është e zbrazët ajo karrige edhe për së paku gjashtë muaj teorikisht në bazë të kushtetutës sonë. Pas zgjedhjeve të reja mund të kemi president të ri dhe Qeveria e vjetër nuk ka as legjitimitetin as autoritetin e as kredibilitetin për iniciativa të reja”, tha ai, raporton Koha. 

Kurti ka përsëritur se zgjedhje të reja duhet të mbahen sa më parë, por që shton se nuk varet nga deputetët e partisë së tij për shkak të mungesës së votave nga partitë tjera.

“Ne besojmë se zgjedhjet duhet të mbahen sa më parë, pasi çdo ditë e humbur është ditë e fituar për të korruptuarit dhe një ditë më pak për qytetarët e vendit tonë. Jemi të interesuar që këto zgjedhje të jenë një ore më parë. Por ju e dini që kjo nuk varet vetëm prej LVV-së e cila ka si grup parlamentar 31 deputetë që janë të pamjaftueshëm pa të tjerë, për ta shkaktuar zgjedhje të reja nëpërmjet rrëzimit të kësaj Qeverie”, tha ai.