Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk është ftuar në një takim që do ta organizojë Ambasada amerikane në Prishtinë më 31 janar, e ku do të diskutohet për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Kurti tha se ky takim do të zhvillohet si pasojë e insistimit të të dërguarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë”, ka thënë kryeministri i Kosovës.
“Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik. Ndërkaq, në anën tjetër, edhe nga propozimi i Bashkimit Evropian nuk mund të përzgjidhet vetëm ndonjë nen, i cili mendohet që e përfshin Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet”, ka shtuar shefi i ekzekutivit kosovar.
Ai tha se ka pritur nga Escobari që të thotë në Beograd se Serbia duhet ta njohë Kosovën, e jo të thotë në Prishtinë se Asociacioni do të bëhet, pavarësisht kryeministrit të Kosovës.
“Unë kam pritur që ai në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, ka deklaruar Kryeministri Kurti.
Duke folur për planin evropian për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, Kurti tha se ai nuk i është prezantuar në formën “merre ose lëre”, por si platformë për diskutim të mëtutjeshëm.
Ai përsëriti se propozimi evropian është bazë e mirë për diskutim, por tha se nuk përmban gjithçka që Kosova do të dëshironte.
Kurti, po ashtu, tha se pret dialog intensiv me Serbinë, në mënyrë që të mund të arrihet një marrëveshje sipas afatit të përmendur kohor, përkatësisht marsi i vitit 2023.
Ai është përgjigjur edhe në pyetjen që derisa të jetë në krye të Qeverisë, nuk mund të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe.
Kurti tha: “Nuk po e them vetëm unë këtë. Asociacioni – pa u hapur çështja e marrëveshjes finale, ligjërisht të obligueshme, me njohjen reciproke në qendër – Asociacioni me bazë njëetnie; Asociacioni me ato struktura ilegale në veri, të cilat 16 rrugëve ilegale që na i mbyllën, iu përgjigjën me 16 barrikada në rrugë ilegale, ky Asociacion as nuk është i qëndrueshëm, as i zbatueshëm e natyrisht as i pranueshëm”.