Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, tha se nuk i nënçmon bisedimet me Serbinë por nuk mund t’i shndërrojë ato në përparësi të punës së qeverisë së ardhshme.
Kurti renditi ndër synimet e para projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia.
“Së pari ne do të duhet që të krijojmë një kabinet të vogël qeveritar, të vazhdojmë punët e mira që i kemi filluar në pranverën e vitit 2020 dhe shumë të tjera të cilat janë edhe më të mira. Duhet të fillojmë me projektligjin për mërgatën tonë që duhet të ketë të drejtë të votojë në ambasada dhe konsullata, gjithashtu duhet të fillojmë edhe me projektligjin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe atë anti-mafia, duhet t’i kthejmë terminalet doganore që u janë dhënë kompanive private në shtet, e gjithashtu janë një mori vendimesh të qeverisë e cila doli të ketë qenë edhe jo kushtetuese, përveç se jo legjitime, e të cilat duhet t’i anulojmë. Por në përgjithësi, prioritetet tona janë drejtësia dhe punësimi, me ç’rast kurrë nuk duhet të harrojmë pandeminë COVID-19 e cila nuk ka shkuar”, ka thënë Kurti.
Kurti ka foluar edhe për bashkimin kombëtar me Shqipërinë.
Ai ka shtuar se prioritetet e qeverisë së tij do të jenë drejtësia dhe punësimi, ndërsa, siç thekson ai “nuk ja mbyll derën në të ardhmen as intencës historike”.
“Së pari ai nuk është projekti i imi fare, domethënë është projekt i atyre që na kanë bërë këta që jemi, pra shqiptarë si komb në Ballkan, dhe kudo që ndodhemi në botë ekziston intenca e natyrshme historike e shqiptarëve për bashkim për shkak se ata janë të ndarë me dhunë dhe nga jashtë. Natyrisht ky është një problem i vjetër, mirëpo i cili ka pasoja edhe sot e kësaj dite. Prioritetet tona do të jenë drejtësia dhe punësimi ndërsa unë nuk ja mbyll derën në të ardhmen as intencës historike të kombit në njërën anë dhe as popullit si vullnet gjithnjë përbrenda kornizave paqësore e demokratike”, ka thënë Kurti për Zërin e Amerikës.