Kurti nuk e konfirmon ftesën e Ramës për takimin joformal të liderëve të rajonit

Nesër në Tiranë pritet të mbahet takimi informal i thirrur nga kryeministri i Shqipërisë Edi Rama me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sipas mediave në Shqipëri, kryeministri Albin Kurti është lideri i vetëm që ende nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit

Kryeministri Albin Kurti është i vetmi lider i vendeve të rajonit që nuk ka konfirmuar pjesëmarrjen në takimin joformal të së hënës, të ftuar nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kanë bërë të ditur të dielën mediat në Tiranë.

Të katër liderët e vendeve të tjera, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, si dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës, Borjana Kristo, kanë konfirmuar pjesëmarrjen.

Ata, si dhe komisioneri për Zgjerimin, Oliver Varhelyi, do të drekojnë në vilen 30, mesditën e të hënës, në takimin joformal ku do të diskutohet për Procesin e Berlinit.

Nga Qeveria nuk kanë kthyer përgjigje nëse kryeministri Kurti do të marrë pjesë në takimin e së hënës.

Javën e shkuar Rama vizitoi vendet e rajonit, në përpjekjen e tij për t’u koordinuar për samitin, por nuk u prit vetëm nga Kurti.

Raportet ndërmjet dy kryeministrave degraduan, pasi në kohën kur ndërkombëtarët kërcënuan Kosovën me sanksione shkaku i aksioneve në veri, Rama anuloi njëanshëm një mbledhje të përbashkët të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, që ishte paraparë të mbahej në Gjakovë.

Në samitin e Procesit të Berlinit, që do të mbahet në mes të tetorit në Tiranë, pritet të marrin pjesë edhe liderë të shteteve evropiane dhe të institucioneve të Bashkimit Evropian.