Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë që është mbajtur të premten, ka theksuar se kjo javë ka qenë e jashtëzakonshme për Kosovës. Të premten në adresimin para kabinetit qeveritar, Kurti ka folur për dorëzimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
“Kjo javë nuk është aspak e zakonshme. Në fakt është e jashtëzakonshme, është javë në të cilën patëm ditën historike, 15 dhjetorin, kur zyrtarisht dorëzuam aplikimin tonë në Presidencën çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian, për anëtarësim në BE. Orientimit evropian i dhamë cak, perspektivës evropiane i dhamë përgjigje dhe marrëdhënieve me Bashkimin Evropian iu dhamë kapitull të ri”, është shprehur Kurti.
Ai ka thënë se procesin e anëtarësimit do ta përshpejtonte njohja nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, që ende nuk e kanë njohur Kosovën. “E kuptojmë që rruga jonë integruese do të bazohet në meritat tona, por integrimi do të thotë edhe njohje, do të thotë edhe pranim, do të thotë edhe ndërvarësi. Krahas meritës sonë, njohja nga pesë shtetet e Bashkimit Evropian që nuk na kanë njohur, sigurisht do të lehtësonte përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Pra njohje që mundësojnë anëtarësim dhe integrim ndërkombëtar”, ka theksuar Kurti.
Ai ka folur edhe për dakordimin e institucioneve të BE-së për heqjen e vizave për kosovarët. “Kurse vetëm një ditë me herët, Parlamenti, Këshilli dhe Komisioni Evropian, u dakorduan për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës, me së largu me 1 janar të vitit 2024”, ka deklaruar Kurti.