Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media nga Tirana ka thënë se Shqipëria ka nevojë për ndryshim, “pas ndryshimeve që janë bërë në Kosovë”.
Pak ditë pas fitores në zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, Vetëvendosje ka zyrtarizuar tri kandidatura për deputetë në Shqipëri. Në një konferencë për media nga Tirana me kandidatin për deputet, Boiken Abazi, Kurti ka thënë se “shqiptarët në Kosovë e Shqipëri kanë nevojë për ndryshime”.
“Në Kosovë do të kemi së shpejti qeverinë e re dhe VV-ja atje është më e fuqishme se kurrë më parë. Nëse deri më 2020 kishim rritje me progresion aritmetik, tash me gjeometrik. Kjo po ngjan edhe në Shqipëri, ku po shumëfishohet organizata. Do të reflektohet edhe në zgjedhjet e radhës kur qytetarët e republikës duhet të zgjedhin përfaqësuesit e popullit. Ndryshimet në Kosovë janë bërë, edhe Shqipëria ka nevojë për ndryshime sepse shqiptarëve u takon më shumë e shqiptarët meritojnë më mirë”, ka thënë ai në këtë konferencë.
Sa i përket Kosovës, Kurti ka thënë se koalicioni parazgjedhor me listën e Vjosa Osmanit ka marrë votat e mjaftueshme për të bërë vetë qeverinë, bashkë me minoritetet, dhe se s’ka nevojë “për kompromise me eksponentët e regjimit të vjetër”.
“Populli e do të renë, e ka bërë prerjen. S’kemi ndërmend t’ia shkelim vullnetin e t’ia devijojmë dëshirën”, ka thënë Kurti.
Për bashkëpunim me Shqipërinë, ai ka thënë se do të fokusohet në zbatimin real të marrëveshjeve të deritashme.