Kurti: Nga Kushtetuesja presim vetëm interpretim

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, thotë se pret nga Gjykata Kushtetuese një verdikt final lidhur me mandatarin, duke u bazuar në nenin 112, që sipas tij, vetëm ta interpretojë vendimin.

Kurti foli para mediave pas takimit që zhvilloi në Qendrën e Studentëve.

“Sa i përket vendimit të Gjykatës Kushtetuese, së pari nuk përflas atë që përflitet, së dyti, duhet ta presim vendimin e Kushtetueses pastaj flasim. Pres vendim nga GJK-ja në përputhje me nenin 112 të Kushtetutës. Gjykata Kushtetuese duhet të bëjë interpretim të Kushtetutës e jo shkruaj. As presidenti, as Kushtetuesja s’mund ta shkruajnë Kushtetutën, pra Gjykata vetëm duhet ta interpretojë atë”, u shpreh Kurti, raporton KOHA.

Kurti foli edhe për deklaratat e presidentit Hashim Thaçi.

“Çfarë ka thënë presidenti për mua, mua më duket se dëshirat e tij i përshkruan si fakte të mia. Unë jam kryeministër në detyrë s’bëhet fjalë për përshkrime që më ka bërë ai”, u shpreh ai.

Lidhur me këtë çështje, KOHA ka mësuar se gjyqtarët mund të vendosin sot, ndërsa deri të premten edhe ta përgatisin e publikojnë Aktgjykimin e plotë.

Në takimin që zhvilloi në Qendrën e Studentëve, Kurti edhe njëherë njoftoi se qendrat hapen në fund të muajit.

“Siç njoftoi mbrëmë edhe ministri Vitia nga fundi i muajit karantimi mbyllet meqenëse janë krijuar kushtet për fitoren ndaj pandemisë COVID-19. Liberalizimi i masave duhet të përcillet me vigjilencë, ruajta e distancës së paku 2 metra, higjiena personale, mospraktikimi i vizitave familjare janë të domosdoshme”, tha Kurti duke shtuar se “javën e ardhshme vazhdojmë me lirimin e masave tjera, dhe i kthehemi normalitetet të ri, që i bie në normalitet të vjetër”.