Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sërish u është drejtuar qytetarëve me një videomesazh që të qëndrojnë në shtëpi, pasi sipas tij parandalimi është shpëtimi.
“I kemi shtrënguar masat sepse virusi korona paraqet rrezik të madh për shëndetin e çdonjërit, por edhe për sistemet shëndetësore e për ekonomitë e vendeve të forta të botës, e lëre më për këto si tonat. Ne po e ndihmojmë ekonominë dhe po e ruajmë shëndetin. Diasporës i kemi bërë thirrje dhe mërgimtarët po ndihmojnë, bizneset po ndihmojnë. Por, për ta fituar këtë betejë duhet të ndihmojë gjithsecili duke respektuar masat”, ka thënë Kurti.
Ai thotë se qytetarët nuk duhet të gjejnë alternativa zëvendësuese për masat e Qeverisë dhe të Ministrisë së Shëndetësisë.
“Qëndrimi në shtëpi është i detyrueshëm. Dikush mendon se masat janë të tepruara, por ne kemi shëndetësi dhe ekonomi të dobët dhe nuk rrezikojmë dot. Nëse dalim tani vetëizolimi mund të zgjasë. E dimë se ky virus nuk fal, dhe është i pandalshëm nëse nuk e ndalim veten. Ky virus përhapet para se ta vërejmë se e kemi. Numrat që shohim sot janë ata që ishin infektuar para dy javësh. Ne e dimë se ky virus është padukshëm, por heronjtë tanë mantelbardhë janë më të dukshëm se kurrë. Parandalimi është jetë, pritja mund të jetë vdekje”, ka thënë Kurti.
Ai shton se nuk ka vend për trimëri a neglizhencë.
“Nuk kemi vaksinë, nuk kemi antiviral, kemi distancë. Pakujdesia individuale do t’i kushtojë shtrenjtë dikujt tjetër, edhe nëse juve s’ju gjen gjë. Luftimi i pandemisë nuk mund të bëhet pasolidaritet. Të gjithë jemi bashkë, por le të rrimë të ndarë. Nëse lëvizjet e qytetarëve janë minimale, sukseset janë maksimale. Mos lejoni këtë virus që po na sulmon trupin të na sulmojë edhe shpirtin, qëndroni optimist. Virusi do të kalojë e ne do të jemi këtu”, ka thënë Kurti.