Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në komunat veriore janë duke u bërë investime që nuk janë bërë tash e dy dekada e sipas tij po shtohen shërbimet që u kanë munguar qytetarëve.
Kurti në fjalinë hapëse të mbledhjes së Qeverisë të mërkurën komentoi vizitën në veri gjatë ditës së djeshme, duke theksuar se janë vizita pune që po bëhen për të kuptuar sa anash janë lënë qytetarët e asaj pjese.
“Vizitat tona, të zyrtarëve shtetërorë në këto komuna nuk janë kundër askujt, ato janë të domosdoshme për t’i kuptuar nevojat që kanë qytetarët. Për t’i flakur paragjykimet e ndërsjella dhe për të kuptuar sa anash janë lënë qytetarët atje, ne po bëjmë këto vizita pune. Atje po bëhen investime që nuk janë bërë qe dy dekada, po shtohen shërbimet që i kanë munguar qytetarëve”, ka thënë ai.
Duke folur për mbylljen e objekteve ku ushtronin veprimtarinë strukturat paralele, kryeministri ka thënë se Qeveria nuk po mbyll zyre në veri, por përkundrazi po i shton sh
“Pas raportimeve se në katër komunat veriore strukturat paralele po zhvillonin veprimtari ilegale, institucionet e sigurisë kanë marrë veprime ligjore për lirimin e tyre… kjo na ka mundësuar që të ofrojmë shërbime të ligjshme. Në ato objekte do të funksionalizohen njësia për patentë shoferë, qendra për punë sociale, shërbime të mirëqenies sociale, shërbimi për regjistrimin e automjeteve e shërbime të tjera të Ministrisë së Ekonomisë. Qeveria nuk po mbyll zyre, përkundrazi po hap, nuk po kufizon shërbimet, po i shton ato, nuk po i largon shërbimet publike nga qytetarët, po i afrojmë. Kësisoj duhet të shihen veprime tona në veri”, ka deklaruar Kurti.
Se kush është për mbyllje, siç ka thënë Kurti, u pa javën e kaluar. Ai ka falënderuar zyrtarët policorë për punën që po bëjnë kundër planeve të këqija, që sipas Kurtit, nuk shihen e as nuk diskutohen në publik.
“Se kush është për mbyllje e pamë javën e kaluar. Grupe të maskuara në sy të policisë serbe bënin rolin e policit kufitar duke ndaluar veturat dhe legjitimuar qytetarët për të kuptuar etnitetin e tyre. Institucionet tona, Policia dhe inteligjenca kanë punuar që qëllimi i këtyre grupeve të dështojë siç edhe ndodhi. Ka edhe shumë punë që po bëhen që nuk dihen e nuk diskutohen në publik. Dua të falënderoj zyrtarët policorë dhe agjentët tanë që u mundësojnë qytetarëve të shohin dhe jetojnë vetëm rezultate pozitive, përkundër planeve të këqija që synohen e nuk realizohen dhe nuk merren vesh asnjëherë”, ka përfunduar Kurti.