Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shfrytëzuar një intervistë në mediumin prestigjioz britanik, SkyNews, për të kërkuar nga shtetet evropiane që ta pranojnë Kosovën në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Sipas tij, një veprim i tillë do t’i kontribuonte paqes, stabilitetit e sigurisë.
Duke komentuar pushtimin rus të Ukrainës, Kurti ka kujtuar se Kosova e ka përjetuar në të kaluarën një luftë duke shtuar se populli kosovar solidarizohet me atë ukrainas.
Ai ka kritikuar Serbinë që mbeti i vetmi shtet në Evropë, pos Bjellorusisë, që s’vendosi sanksione kundër Rusisë.
“Ballkani s’është imun nga efektet e situatës në Ukrainë sepse në Ballkan kemi shtet që s’i ka vënë sanksion Rusisë, që s’iu bashkua BE-së për të dënuar pushtimin rus, dhe kjo është Serbia, fqinji jonë”, ka thënë ai duke shtuar se Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e Kosovës, ndërsa në anën tjetër ruan lidhjet e fuqishme me Rusinë.
Ai ka thënë se Serbia një pjesë të madhe të armatimit të vet e ka nga donacionet e Rusisë, ndërsa shumica e kompanive të mëdha ruse kanë degët e tyre në Serbi.
“Prandaj populli i Kosovës është i shqetësuar se presidenti despotik Vladimir Putin do të përpiqet të bartë luftën edhe në Ballkanin Perëndimor për ta kthyer në fushëbetejë me demokracitë perëndimore”, ka thënë Kurti.
Megjithatë, ai ka thënë se populli i Kosovës është i vendosur, vigjilent dhe nuk frikësohet.
“Duam t’i bashkohemi BE-së dhe NATO-s. E kemi NATO-n, por po të pranohemi do të ishte më mirë për popullin e Kosovës, Republikën dhe për gjithë rajonin e kontinentin evropian në përgjithësi”, ka shtuar ai.
Kurti ka thënë se shtetet e BE-së dhe NATO-s duhet të angazhohen më shumë që të largojnë ndikimin rus nga Ballkani.