Sektori i Energjisë është jetik në zhvillimin e ekonomisë, e zhvillimi i ekonomisë është prioritet për qeverinë tonë, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti në fjalën e tij në hapje të punëtorisë “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, të organizuar nga Ministria e Ekonomisë.
Kryeministri Kurti tha se sektori i energjisë duhet të shndërrohet nga një pengesë për zhvillimin e industrive dhe sektorit privat, në një mundësi të re fuqizuese për ta. Ai theksoi se Kosova është në fazën e rishikimit të Strategjisë së Energjisë dhe hartimit të Planit për Energji dhe Klimë, sipas së cilave do të merren vendime të rëndësishme që do të definojnë synimet tona në këtë sektor për dekadat e ardhshme.
Punëtoria dyditore “Tranzicioni i drejtë energjetik në Kosovë”, e organizuar nga Ministria e Ekonomisë, është punëtori e përbashkët për sektorin e energjisë dhe koordinimin e donatorëve në Kosovë. Ajo për qëllim ka informimin e vendimeve teknike dhe politike që do të merren gjatë procesit të finalizimit të Strategjisë Kombëtare të Energjisë.
Dita e parë e kësaj punëtorie është e fokusuar në prezantime të skenarëve të energjisë për Kosovën, duke përfshirë këtu prezantime nga studime të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë, Ministria e Ekonomisë, Zyra e BE-së në Kosovë, USAID, Qeveria Gjermane (GIZ/ KFW), Banka Botërore dhe EBRD. Dita e dytë do të fokusohet në projekte specifike të energjisë dhe do të përfshijë prezantime nga ana e Sekretariatit, MCC-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara Ministre e Ekonomisë, znj. Artane Rizvanolli,
Të nderuar përfaqësues të organizatave e institucioneve, vendore dhe ndërkombëtare,
Të nderuar punonjës të mediave,
Të nderuar të pranishëm,
Së pari dua t’ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj në konferencën dy ditore për Tranzicionin e Drejtë të Energjisë dhe për angazhimin e kontributin që deri më tani secili nga ju keni dhënë në sektorin e energjisë në Kosovë.
Duke pasur parasysh besimin popullor që kjo qeveri mori në zgjedhjet e kaluara, siç tashmë e kemi thënë disa herë, prioritet për ne do të jetë zhvillimi ekonomik, i cili ndodhet në kuadër të një tranzicioni të drejtë dhe të qëndrueshëm, për jetën e qytetarëve dhe progresin e gjithmbarshëm.
Na pret një punë e madhe me reforma të thella në fusha të ndryshme të ekonomisë sonë, teksa sektori i energjisë për neve duhet të shndërrohet nga një pengesë për zhvillimin e industrive dhe sektorit privat, në një mundësi të re fuqizuese për ta.
Kam shumë besim që të gjithë së bashku mund t’i planifikojmë dhe realizojmë këto reforma duke ndjekur një model të përshtatshëm për Kosovën. Ky model duhet të jetë në linjë me kontekstin në të cilin Kosova gjendet dhe hapave që mund të bëjë, si dhe të jetë në përputhshmëri me vizionin tonë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Pra, ndërmarrja jonë e përbashkët merr parasysh gjendjen aktuale drejt vizionit të dëshiruar. Jo vizion që shpërfill kontekstin e as kontekst pa vizion për të ardhmen, por, që të dyja: vizion dhe kontekst, për ta tejkaluar kontekstin e për ta realizuar vizionin.
Kosova, sikurse shumë vende të tjera të vogla e në zhvillim, sot e gjen veten në mes të një krize klimatike globale të shkaktuar nga mosplanifikimi i qëndrueshëm e afatgjatë i burimeve natyrore. Krizat globale, si edhe kjo e fundit me pandeminë, na kanë rikujtuar edhe njëherë qe zgjidhja e vetme për të mirën e të gjithëve mbetet bashkëpunimi për kauzën tonë të përbashkët. Jemi bashkë, andaj nuk mund të planifikojmë ndaras apo veçmas.
Prandaj, si shtet e si vend, jemi në vitin kur pritet të merren vendime të rëndësishme në sektorin e energjisë, vendime të cilat do ta definojnë këtë sektor, jo vetëm për 10 vjeçarin e ardhshëm, por edhe më tej se aq. Kosova është në fazën e rishikimit të Strategjisë së Energjisë, hartimit të Planit për Energji dhe Klimë si dhe rishikimit të legjislacionit në fushën e energjisë. Të gjitha këto nisma do të definojnë synimet tona për dekadat e ardhshme.
Qëllimi ynë është që strategjia e energjisë të jetë mirë e informuar, e zbatueshme dhe me objektiva të saktë e të matshëm. Kosova nuk duhet të ketë një strategji që është zhvilluar vetëm që të përmbushë kriteret legjislative, mirëpo një strategji e koordinuar mirë me të gjithë akterët vendorë dhe ndërkombëtarë që rezulton në rritje të standardeve të jetesës për të gjithë qytetarët e Kosovës. Meqë jemi në shërbim të qytetarëve, pritet që kjo strategji në implementim të krijojë vende të shumta pune, hapësirë për investime duke lehtësuar proceset për palët e reja, të aktivizojë shoqërinë përmes pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje, si dhe të krijojë mundësi përfitimi për qytetarët.
Koordinimi dhe puna e përbashkët me të gjithë juve është më se e nevojshme duke marrë parasysh që Kosova nuk është e vetmja që është duke kaluar në hapa të tillë të tranzicionit sidomos me rimëkëmbjen nga pandemia.
Kam pasur mundësinë të takoj shumë prej jush dhe të lexoj e dëgjoj për punën tuaj ndër vite. Me bindje të thellë mund të them që jam krenar që Qeveria e Kosovës ka partnerë që ndihmojnë në momente kaq të rëndësishme. Jam i lumtur të jem në mesin tuaj dhe i nderuar që ma keni dhënë fjalën hyrëse të këtij bashkëbisedimi rreth energjisë dhe kahjes që ky sektor mund të marrë, drejt zhvillimit ekonomik dhe progresit shoqëror të Republikës së Kosovës.
Ju faleminderit.