Kurti në Greqi: Njohja e Kosovës, bashkëpunimi dhe anëtarësimi i rajonit në BE – rruga e duhur drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate

Njohja e shtetit tonë, bashkëpunimi në rajon dhe përfshirja sa më e shpejtë e rajonit në Bashkimin Evropian, është rruga e duhur drejt paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate, tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në ditën e dytë të edicionit të 25-të të tryezës së organizuar nga magazina prestigjioze britanike “The Economist”, në bashkëpunim me qeverinë greke.

Në panelin e diskutimit me temë “Evropa Juglindore: Rritja e Bashkëpunimit dhe Solidariteti”, kryeministri Kurti ka përsëritur kërkesën që Greqia t’u bashkohet vendeve që e kanë njohur Kosovën. Të mos harrojmë që 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së tashmë e kanë njohur Republikën e Kosovës sikurse edhe 26 nga 30 shtetet anëtare të NATO-s, tha kryeministri Kurti.

Në panel ishin edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ish-presidentja e Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviq, presidentja e Rrjetit për Reformë në Greqi “Diktio” dhe ish-komisionerja evropiane për Punësim dhe Çështje Sociale, Anna Diamantopoulou, dhe deputeti i Parlamentit Helen dhe ish-ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, George Katrougkalos.

Gjatë fjalës së tij, kryeministri Kurti foli për menaxhimin e suksesshëm të pandemisë gjatë dy qeverive të udhëhequra nga ai. Në Qeverinë Kurti 1, Kosova ishte vlerësuar si një nga vendet me menaxhimin më të suksesshëm të pandemisë, kurse brenda 100 ditëve të qeverisë aktuale, numri i rasteve aktive ka rënë nga 13 mijë në 170 sosh, teksa rastet e hospitalizuar kanë rënë nga 750 në 25. Brenda 66 ditëve të para të qeverisjes u arrit marrëveshja me kompaninë Pfizer për blerjen e 1.2 milionë vaksinave, kurse brenda 100 ditëve u siguruan në total mbi 2 milionë doza të vaksinave. Kryeministri veçoi se Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka pranuar vaksina nga Rusia ose Kina. Ai shtoi se ky menaxhim i mirë, në të dyja rastet, përpos masave të duhura, është meritë e bashkëpunimit dhe reagimit pozitiv të qytetarëve ndaj thirrjeve të institucioneve shtetërore.

Përpos menaxhimit të mirë me pandeminë, reformat e nisura në drejtësi, luftimi i krimit dhe ruajtja e parasë publike kanë ndikuar pozitivisht në rritjen e besimit të qytetarëve në institucione. Ai shtoi se kjo ka ndikuar edhe në indikatorët ekonomikë, të cilët tregojnë se në pesëmujorin e parë të vitit, aktiviteti ekonomik është rritur për 15%, të hyrat buxhetore për 30% dhe eksporti për 66%, kurse rritja ekonomike për këtë vit parashihet të jetë 7.9%.

Kultura e re që kemi sjellë me qeverisjen e mirë, ku korrupsioni nuk do të tolerohet, tashmë po aplikohet në praktikë. Ne duam të vazhdojmë me procesin e vettingut, që do ta bëjë më aktive prokurorinë tonë dhe më efikase gjyqësinë tonë, tha kryeministri Kurti.

Kryeministri Kurti foli edhe për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin ekonomik të Ballkanit Perëndimor. Kosova tashmë ka propozuar një kornizë të re të bashkëpunimit, të quajtur SEFTA (Marrëveshja për Tregti të Lirë e Evropës Juglindore), e cila do të përfshinte të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor, si anëtare të barabarta dhe si e tillë do të bazohej në një marrëdhënie të veçantë me Bashkimin Evropian, sipas modelit EFTA-EEA.